Transmetuar më 27-07-2017, 13:40

Gjykata e Krimeve te Renda ka shfaqur sot në seancë gjyqësore për herë të parë pamjet filmike të rrëmbimit të Gazmend Çollakut në parkingun e “Portside” në Durrës në 6 janar të vitit 2016. Sipas burimeve të “Panoramës” pamjet e filmimeve janë të paqarta, pasi ka distancë të largët nga objektivi.

Mësohet se në filmimin e shfaqur sot në gjykatë mund të shquhet Çollaku që parkon mjetin e tij. Por më pas atij i afrohet një mjet tjetër nga i cili zbresin disa persona që e fusin me forcë në makinë. Këta të fundit arrihet të shquhen vetëm si hije. Dhe mbi të gjitha, nuk dukej nëse ishin me uniforma policie apo jo, sikurse është thënë më herët.

Gazmend Çollaku, 36 vjeç nga Shijaku, banues në Durrës, u rrëmbye në afërsi të një lokali në qytetin bregdetar ndërsa u gjet i lidhur këmbë e duar, i qëlluar me armë zjarri pistoletë.

Hetuesit kanë analizuar pamje të disa kamerave filmike në disa vende ku mendohet se mund të ketë lëvizur mjeti që dyshohet se u përdor në rrëmbimin e tij. Sipas hetuesve, itinerari i ndjekur nga autorët e mundshëm të krimit besohet se ka qenë ai nga Durrësi, nëpërmjet autostradës, ndërsa janë kthyer në nënkalimin e Vorës për të marrë më pas në drejtim të fshatit Budull, e për të përfunduar në Murqin të ish- komunës Mazhe.

Dyshimi i policisë se krimi është kryer nga një grup i organizuar kriminal është bazuar në faktin se nga hetimet e kryera është konstatuar se veprimet e autorëve kanë qenë thuajse perfekte, që nga rrëmbimi në Durrës me veshje të ngjashme me ato të policisë, e deri tek dërgimi i tij dhe vrasja në fshatin Murqin të Mazhes në Krujë. 

Në seancën e kaluar gjyqësore për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut janë paraqitur analizat e gjakut të gjetur në makinën ku ndodhej viktima dhe rezulton se nuk i përket asnjërit prej të dyshuarve, as Denis Shtrazës dhe as Ervin Dalipajt (i ndjerë).

Në këtë seancë pritej edhe shfaqja e pamjeve filmike të kamerave të sigurisë të parkingut të pallatit ku u rrëmbye Çollaku. Këtë herë këto pamje nuk u bënë të mundura të shfaqen për shkak të një debati teknik në kompjuterin e gjykatës dhe shfaqja e tyre u bë sot në seancën e radhës.