Transmetuar më 27-07-2017, 08:20

Një vajzë 7-vjeçare ka vendosur t’i shkruajë një letër kryeministrit Edi Rama.

Mikaela është fëmija i tretë i një nëne të divorcuar e cila përballet me një jetë jashtëzakonisht të vështirë pasi i duhet t’i sigurojë bukën e gojës 3 fëmijëve të saj, vetëm me vetëm 25 mijë lekë të ardhura mujore.

Familja jeton me qira në Tiranë dhe në 5 vitet e fundit kanë ndërruar me dhjetëra shtëpi pasi asnjëherë nëna e Mikaelës nuk ka ja dalë mbanë të paguajë qiranë deri në fund.

Vetë ajo tashmë është e sëmurë dhe e operuar, e nuk mund as të punojë. Për rrjedhojë nuk ka mundësi të ushqejë fëmijët e saj.

Kësaj here është Mikaela ajo që ka vendosur të rrëfejë me fjalët e saj pak historinë e familjes, përmes rubrikës “Njerëz” në Tirana Today me shpresën që lutja e saj e vetme që ata të kenë një shtëpi të tyren e të mos enden rrugëve të Tiranës, të bëhet realitet.

“Nuk e kuptoj pse mami thotë që me zor fiton bukën e gojës”, – është mënyra naive e vogëlushes e cila, dashje pa dashje, tregon që bota e saj fëminore është dëmtuar nga lotët e nënës dhe fakti që nuk i percepton dot gjithë vështirësitë ekonomike me të cilat përballet kjo familje.

Aktualisht ata marrin një ndihmë modeste ekonomike dhe nëna e Mikaelës shpreson të mund të përfitojë një bonus qiraje edhe nga bashkia e Tiranës. Por zgjidhja më e mirë e vuajtjeve të kësaj nëne dhe 3 fëmijëve të saj do të ishte të kishin një shtëpi të tyren.