Transmetuar më 26-07-2017, 09:11

Policia del me deklaratë lidhur me vrasjen e ndodhur gjatë natës së lënë pas në Borsh të Sarandës, ku një person mbeti i vdekur dhe tre të tjerë u plagosën.

Po ashtu bëhet me dije se është arrestuar njëri prej autorëve të dyshuar, si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00.40 pas mesnate, sapo kishte hyrë e mërkura, në fshatin Borsh, në rrugën kryesore ku ka ndodhur një konflikt midis disa të rinjve.

Në vendngjarje kanë shkuar efektivët e policisë ku ka rezultuar se në konflikt janë përfshirë disa persona për motive të dobëta.

Gjatë konfliktit ata kanë përdorur mjete të mprehta shpuese, e për pasojë kanë marrë dëmtime të rënda në trup Premtim Bega, 31 vjeç, banues në Borsh, i cili ka ndërruar jetë gjatë transportimit për në spital.

Po ashtu kanë mbetur të plagosur E.O., 24 vjeç, banues në Borsh, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, D.K., 24 vjeç dhe E.M., 23 vjeç, banues në Borsh, dy të fundit me dëmtime të lehta.

Nga ana e policisë pak pas ngjarjes është arrestuar si i dyshuar R.Sh., 19 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dy prej autorëve të tjerë të dyshuar N.H., 20 vjeç dhe Xh.M.

Aktualisht vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe për kapjen e ndalimin e dy autorëve të shpallur në kërkim, ndërkohë që paraprakisht bëhet me dije se të dyshuarit i kishin bërë pritë viktimës dhe të plagosurve.

Lidhur me këtë rast për ndjekje të mëtejshme materialet i’u referuan Prokurorisë së Sarandës. /a.y/noa.al