Transmetuar më 23-07-2017, 14:28

Prokuroria e Sarandës kërkon caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” me afat 45 ditë, me qëllim pritjen e aktit të ekspertimit, për shtetasin Ermal Fataj, i dyshuar se mund të jetë ai personi që ka goditur për vdekje me mjet lundrues “skaf” shtetasen ruse, 15 vjeçe, pak ditë më parë në Ksamil. Gjykata pritet ta shqyrtojë ditën e hënë kërkesën e Prokurorisë.

Në bazë të veprimeve procedurale të deritanishme rezulton se mesditën e së premtes, shtetasja ruse Kseniya Ryok dhe nëna e saj, kanë hyrë për t’u larë në zonën e ishujve të Ksamilit. Vajza është larguar me not nga mamaja e saj dhe i ka humbur nga shikimi.

Pak minuta më vonë, është konstatuar se vajza pluskonte e pa jetë në ujë. Ky fakt është konstatuar nga disa turistë të tjerë, të cilët kanë njoftuar policinë dhe më pas, në vendngjarje është afruar me not edhe nëna e vajzës.

Pas kryerjes së autopsisë, rezultoi se viktima kishte disa gërvishtje të thella në pjesën e kokës, si edhe në pjesën anësore të trupit, të cilat i kane shkaktuar vdekjen. Grupi hetimor, i drejtuar nga Prokuroria e Sarandës, ka krijuar dyshimet se vajza mund të jetë goditur nga një mjet lundrues që lëviz në atë zonë.

Janë këqyrur një numër i madh varkash dhe skafesh që shërbejnë për transportin e turistëve nga bregu për në drejtim të ishujve të Ksamilit.

Nga këqyrja, rezulton se në helikën e skafit që drejtohej pa licence shërbimi nga shtetasi Ermal Fataj, i gjetën disa fije floku, të ngjashme për nga ngjyra me ato të viktimës 15-vjeçare. Janë pyetur disa persona, përfshirë edhe personin e dyshuar. Ky i fundit deklaron se ka lëvizur me skaf në orën që ka ndodhur ngjarja, por mohon të jetë përgjegjës për ngjarjen, duke u shprehur se, nëse do të kishte goditur të ndjerën, do e kishte ndjerë dhe do të merrte masa për t’i ardhur në ndihmë. Në këto kushte, Prokuroria e Sarandës ka krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Ermal Fataj mund të ketë goditur turisten ruse.

Por, për të arritur në përfundime më të sakta nëse është pikërisht ky shtetas (Ermal Fataj) autor i veprës penale të parashikuar nga neni 85 i K.Penal, duhet të bëhet një vlerësim me i saktë vetëm pasi të kryhen aktet e ekspertimit mjeko/ligjor për të përcaktuar kategorinë e dëmtimeve dhe shkakun e vdekjes së viktimës, si dhe akti i ekspertimit biologjik i kampioneve dhe provave të tjera materiale të gjetura tek mjeti i tij lundrues dhe të sekuestruara prej policisë gjyqësore, për të përcaktuar në mënyrë shkencore nëse ato përputhen dhe i përkasin ose jo viktimës, pra për te përcaktuar saktësisht nëse është pikërisht Ermal Fataj subjekti i veprës penale me pasojë vdekjen e shtetases ruse.

Vetëm pas këtij momenti të procesit hetimor do të bëhet një vlerësim më i saktë i rrethanave të fakti. Për këto arsye, nga ana e Prokurorisë se Sarandës është kërkuar caktimi i masës se sigurimit “arrest me burg” me afat, në pritje të përgjigjeve shkencore.