Transmetuar më 23-07-2017, 11:17

Disa banesa janë djegur në fshatin Sheqeras të Korçës në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit janë ende të paqarta. Fatmirësisht, banorët kanë mundur të dalin nga banesat pa u lënduar.

Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë dhe dy zjarrfikëse të cilat bënë të mundur lokalizimin e flakëve.

Nga të dhënat e para rezulton se zjarri ka rënë në një godinë të vjetër njëkatëshe (në pronësi të tre shtetasve) e cila përbëhet nga dy hyrje të banuara dhe dy të pabanuara.

Këto dy të fundit, kanë patur në brendësi të tyre bazë ushqimore, nga ku dyshohet edhe që ka rënë zjarri fillimisht dhe më pas ka përfshirë të gjithë këtë godinë.

Si pasojë e zjarrit mëngjesin e ditës së sotme, rreth orës 03:00, ndërtesat kanë pësuar dëme të shumta materiale.

Grupi hetimor po kryhen veprimet procedurale, si edhe po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. /b.l/noa.al/