Transmetuar më 23-07-2017, 10:49

Një ngjarje e rëndë tronditi ditën e djeshme Italinë ku protagoniste ishte një familje shqiptare, ku një burrë sulmoi me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas i hodhi acid.

Krimi u regjistrua në një apartament të një ndërtese në Salinatore të Forlis në Itali. Agjencia e lajmeve ‘Ansa’ shkruan se fill pas krimit, burri u arratis me makinë bashkë me dy fëmijët.

Ndërkohë 37 vjeçarja nga Shqipëria, u dërgua në spital, pasi mori plagë dhe djegie, por fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Burri nga Kosova është shpallur në kërkim nga policia italiane. Kanë qenë fqinjët e çiftit ata që ndërhynë në kohë duke parandaluar një tragjedi, pasi kanë dëgjuar ulërimat e gruas. Fqinjët i kanë ardhur në ndihmë gruas duke i pastruar lëkurën që ishte djegur nga acidi.

Ndonëse ata janë përpjekur të ndalojnë autorin e dyshuar, ai është larguar me dy fëmijët e tij. Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i kësaj ngjarje të jetë bërë xhelozia, ndërkohë po hetohet lidhur me zbardhjen e plotë të shkaqeve të saj.