Transmetuar më 21-07-2017, 11:42

Aktori i humorit Julian Deda, i cili mban edhe pozicionin e koordinatorit të Partisë Demokratike, tregon se sa “paguhet” për të sharë kryedemokratin Lulzim Basha.

Me një dozë të thellë ironie në një postim të bërë në Facebook, ai tregon se merr 100 mijë euro nga Basha për të sharë Edi Ramën.

Më tej ai e rrit edhe më shumë dozën dhe shprehet se, “Tani, që e kam me Lulin, jo vetëm që shkoj përditë në Surrel dhe pi kafe me Ramën, por po siguroj jetën time dhe të nipërve e mbesave të mija”.

Ai thotë se për çdo kritikë merr nga një copë tokë në bregdet, kurse për shkrimin e fundit, u mblodhën të gjithë këta kundërshtarët e Lulit, shtinë lekët dhe i blenë një vilë te Samir Mane.

Postimi i Julit

Më pyesnin shpesh: “Ore ti, pse kritikon Ramën? Pse shan Rilindjen? Të ka dhënë Luli lek apo do të bëhesh ministër?”. Kurse tani më pyesin: “Po ti ça ke me Lulin? U bëre me Ramën? Të jep Jozi lek, apo je i futur nga Doktori?

Pas kaq shumë pyetjesh, pas kaq shumë kohësh, pas kaq shumë dilemash që po e mundojnë njerëzimin, dilema dhe paqartësi të cilat kanë futur në konfuzion kombe dhe shtete të mëdha e të fuqishme të botës. Por edhe për të shuar kureshtjen e çdo shqiptari, që sakrifikoi duke lënë punët e veta për t’u marrë me zgjidhjen e kësaj enigme, unë kam vendosur të flas. Kam vendosur të tregoj të vërtetën.

Të dashur kuriozër. Unë i bëj të gjitha këto, sepse marr lek, pa fund lek. Për të kritikuar Ramën marrë 100 mije euro nga Luli. Ndërsa tani, që e kam me Lulin, jo vetëm që shkoj përditë në Surrel dhe pi kafe me Ramën, por po siguroj jetën time dhe të nipërve e mbesave të mija. Për çdo kritikë marr nga një copë tokë në bregdet, kurse për shkrimin e fundit, u mblodhën të gjithë këta kundërshtarët e Lulit, shtinë lekët dhe më blenë një vilë te Samir Mane. Ja kjo është e vërteta. Pse kujtuat se e bëj kot unë? Kujtoni ju se e bëj se më dhimbset Shqipëria? Jo mor vlla, vetëm për lekë. Tani që e morët vesh dhe besoj se jeni më të qetë, futjuni punëve tuaja, se i keni lënë pak mbas dore. Ju përqafoj të gjithëve dhe faleminderit. /a.y/noa.al