Transmetuar më 21-07-2017, 11:26

Policia e Tiranës thotë se ka zbardhur plagosjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë, rrugën “4 Dëshmorët” ku mbeti i plagosur aktori Mishel Manoku/Prela.

Si i dyshuar për ngjarjen është arrestuar Miklar Tola, 31 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi në rrugën “4 Dëshmorët”, dyshohet të ketë plagosur me armë zjarri shtetasin Mishel Prela, 31 vjeç, në pjesën e barkut dhe gjymtyrë i cili aktualisht ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Nga këqyrja dhe veprimet proceduriale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 8 gëzhoja të qitura nga një armë zjarri, e llojit pistoletë.

Mishel Prela njihej edhe si Mishel Manoku, të cilin e përdorte edhe si emër të dytë.

I plagosuri është aktor dhe njihet për interpretimin e tij në filmin “Saimir”, ku luante rolin e djalit të Xhevdet Ferrit.

I riu u gjet i gjakosur nga kalimtarë të rastit pranë një makine të parkuar pranë gjimnazit “Partizani”, të cilët lajmëruan policinë dhe u dërgua në spital.

Ai i’u nënshtrua një operacioni për shkak të dy plagëve me armë zjarri, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Fillimisht në Spitalin e Traumës, ku u transportua me urgjencë ai dha një emër të rremë. Por kjo gjë u përgënjeshtrua më vonë për shkak të kartës së identitetit që i’u gjet me vete.

Mësohet se Manoku/Prela është i njohur për policinë, si i përfshirë në një plagosje.

Ndërkohë ndaj të dyshuarit Tola, materialet i’u referuan Prokurorisë së Tiranës për veprat penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sakaq grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje. /a.y/noa.al