Transmetuar më 20-07-2017, 22:24

Një person ka mbetur i plagosur nga të shtënat me armë zjarri gjatë mbrëmjes së sotme në Tiranë.

Ngjara ka ndodhur rreth orës 21:11 në afërsi të gjimnazit “Partizani”.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca.

Nga verifikimet paraprake ka rezultuar se në rrugën "4 Dëshmorët", është gjendur një shtetas i shtrirë dhe i gjakosur i cili është transportuar në spitalin "Ushtarak", ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendin e ngjarjes janë sekuestruar gëzhoja të qitura nga armë e llojit pistoletë.

Janë ngritur gjithashtu pika kontrolli në hyrje dalje të zonës dhe vazhdon krehja e territorit.

Grupi hetimor po vazhdon punën për saktësimin e gjeneraliteteve të të plagosurit dhe zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes./a.k/noa.al/