Transmetuar më 14-07-2017, 18:37

Kryeministri Edi Rama ka një mesazh lidhur me administratën, duke treguar se çfarë është bërë dhe çfarë do të bëhet gjatë katër viteve të ardhshme.

Nëpërmjet një postimi të gjatë në Facebook, ai thotë se do të nisë krijimi i ajkës së administratës moderne shqiptare ose asaj që mund të quhet “pjesa e sipërme” e administratës, ministri dhe institucione të tjera qendrore.

Kreu i qeverisë thotë se rruga për të bërë shtetin e Shqipërisë që duam, ka ende shumë të përpjetë dhe nuk është e shkurtër.

Më tej ai rendit se çfarë është bërë për administratën gjatë mandatit të parë qeverisës.

“Jam i bindur se do i’a dalim me sukses, nëse do të ndërtojmë dot një koalicion të madh me njerëzit e zakonshëm, kundër parazitëve dhe grabitqarëve që me taksat tona, nëpërkëmbin e zhvasin qytetarët në zyrat e shtetit”, shkruan Rama.

Postimi i Kryeministrit Rama në Facebook

Për kuriozitetin tuaj

Sa më poshtë besoj se krijon idenë e gjurmëve të para të një rruge ende shumë të përpjetë dhe jo të shkurtër për të bërë shtetin e Shqipërisë që duam. Është fjala për themelet e Shërbimit Civil Shqiptar, e thënë ndryshe më thjesht, për krijimin e ajkës së administratës moderne shqiptare ose asaj që mund të quhet "pjesa e sipërme" e administratës, ministri e institucione të tjera qendrore. Lexojeni po patët nge dhe mos e merrni si pretendim se çoç kemi bërë në këta 45 muaj të qeverisjes, po thjesht shikojeni si një pasqyrë qëllimesh të mira e të qarta që duhen t'i mishërojë çdo zyrë në këtë shtet, tek çdo punonjës i këtij shteti.

* * *

Përpjekje konkrete të mandatit të parë, drejt një administrate serioze që ende nuk e kemi:

- Hartuam një kuadër ligjor të plotë dhe të qartë për zbatimin e legjslacionit të shërbimit civil (janë hartuar 12 akte nënligjore dhe 6 udhëzime të cilat detajojnë procedurat në zbatimit të ligjit 152/2013 “Për nëpunësin civil”)

-Miratuam dhe po zbatojmë dokumentin Strategjik Ndërsektorial të Reformës në Administratën Publike 2015-2020 dhe Planin e Veprimit me aktivitete dhe masa konkrete

-Transformuam procedurën e rekrutimit në shërbimin civil:

- Procedura e aplikimit 100% online, nëpërmjet faqes së DAP

- Çdo aplikant krijon dosjen personale elektronike të aplikimit, të cilën mund ta përditësojë në çdo moment

- Sistem elektronik i aplikantëve, i cili mundëson shkëmbimin e informacionit në kohë reale mes DAP, institucioneve të adminsitratës dhe aplikantëve. Ky sistem mundëson komunikimin me kandidatët në çdo fazë të konkurrimit, si dhe ruan historikun e aplikimeve për çdo kandidat

- Banka e Pyetjeve, me pyetje me alternativa, për testimet me shkrim (mbi 10.000 pyetje, për rreth 20 disiplina të përgjithshme)

- Sistemi përzgjedh automatikisht pyetje nga banka dhe krijon teste të sekretuara me barkod unik për secilin aplikant

- Testet me shkrim korrigjohen nga një skaner automatik

- Intervista me gojë zhvillohet nga një komision prej 5 anëtarësh dhe regjistrohet audio për të mundësuar kandidatëve të drejtën e ankimimit

*Janë kryer 1200 emërime në nivelin hyrës, specialistë, sipas kësaj procedure.

-Sistem Informatik i Menaxhimit të Burimeve Njerëzore/HRMIS, thënë ndryshe Rregjistër Qendror i Punonjësve Publikë (ky sistem parashikon të përfshijë të gjithë punonjësit e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe pushtetin vendor, pavarësisht cili është legjislacioni që rregullon marrëdhëniet e punës)

Ky sistem u shtri në të gjithë institucionet e administratës shtetërore (330 institucione të shërbimit civil dhe me kod pune), si dhe në institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore; U trajnuan rreth 350 punonjës për përdorimin e këtij sistemi; U popullua sistemi me dosjet elektronike individuale për mbi 12.000 punonjës.

- 41 kurrikula për trajnimin e nëpunësve civilë të të gjitha niveleve

- Kurrikul e posaçme për Trupën e Nivelit të Lartë Drejtues, e cila përmban gjithsej 280 orë trajnimi

* * *

E përsëris, sa më lart është vetëm baza fillestare e një rruge të përpjetë dhe jo të shkurtër. Jam i bindur se do i'a dalim me sukses, nëse do të ndërtojmë dot një koalicion të madh me njerëzit e zakonshëm, kundër parazitëve dhe grabitqarëve që me taksat tona, nëpërkëmbin e zhvasin qytetarët në zyrat e shtetit. /a.y/noa.al