Transmetuar më 14-07-2017, 17:34

Policia jep detaje lidhur me drogën e sekuestruar në Kavajë, në kuadër të operacionit të koduar “Pilotët”.

Nga peshimi, rezultoi se bëhet fjalë për plot 1 ton e 360 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, ku krahas saj u sekuestruan dhe tre automjete, një gomone dhe një mjet i rëndë traktor.

Më konkretisht gjatë natës, rreth orës 02:20, shërbimet e policisë kanë marrë informacion se në vendin e quajtur fshati “Bago”, dy automjete, konkretisht një “Land Rover “dhe një furgon mund të transportonin lëndë narkotike. Menjëherë është organizuar puna për bllokimin e tyre.

Në momentin e konstatimit të këtyre dy automjeteve, nga ana e punonjësve të policisë u është bërë shenjë për të ndaluar por këto automjete nuk kanë ndaluar duke shtuar shpejtësinë dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Drejtuesit dhe personat e tjerë që kanë qenë në këto automjete, duke përfituar nga errësira dhe terreni i vështirë, kanë arritur të largohen duke braktisur automjetet.

Nga këqyrja e këtyre automjeteve, rezultoi se në brendësi të tyre kishte pako të mëdha me lëndë narkotike, e cila pas peshimit rezultoi rreth 1360 kilogramë.

Nga bashkëpunimi mes policisë së Kavajës dhe asaj të Tiranës, është bërë e mundur arrestimi i tre të dyshuarve Joni Sadikaj, Roland Hysenbelliu dhe Kejvi Hajdari.

Nga hetimet e kryera, rezulton se bashkëpunëtorë të tyre janë edhe B.B., dhe F.S., të cilët janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e tyre.

Më pas nga ana e policisë së Kavajës dhe asaj të Tiranës, është vijuar operacioni duke bërë krehjen e terrenit dhe territorit, ku si rezultat janë konstatuar një gomone me gjatësi 7.7 metër me dy motorë me 200 KV e tipit Kavasaki e lidhur me një traktor pa targa, si dhe një automjet i markës Toyota, cila nga verifikimet i përket shtetasit H. K., i cili është shpallur gjithashtu në kërkim policor.

Në lidhje me këtë ngjarje, janë shoqëruar edhe disa shtetas të tjerë për t’u marrë në pyetje.

Ndaj të dyshuarve materialet i’u referuan Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim të lëndëve narkotike e kryer në bashkëpunim” e mbetur në tentativë. /a.y/noa.al