Transmetuar më 14-07-2017, 13:31

Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë për idenë e rikrijimit të Jugosllavisë, që u publikua në një gazetë gjermane, duke thënë se kjo është një broçkull e madhe.

Në një takim me gazetarë, ku foli për Samitin e Triesteve për Ballkanin Perëndimor, kreu i qeverisë mohoi të ketë diçka konkrete mbi “Jugosllavinë e re”.

“Është e kotë të humbasim kohë dhe energji për gjithfarë broçkullash që janë dëgjuar lidhur me këtë projekt. Projekti është thellësisht europian dhe mbështetet thellësisht dhe terësisht në frymën europiane të bashkëveprimit dhe ndërveprimit. Nuk përbën absolutisht një lidhje alternative, por përkundrazi përbën një përpjekje komplementare me atë të integrimit të vendeve tona dhe të rajonit në BE.  Nuk ka broçkull më të madhe për t’u evidentuar si kulmi i marrëzisë në interpretimin e këtij projekti, sesa broçkulla e rikrijimit të Jugosllavisë”, tha Kryeministri.

Rama tha se takimi i liderëve të Ballkanit, ka hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendeve të rajonit, në termat ekonomikë, shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimeve të tjera. /k.k/noa.al/