Transmetuar më 08-07-2017, 12:30

Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e rrugës “Imer Ndregjoni”, ose siç njihet ndryshe rruga e “Oxhakut”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektoi punimet dhe theksoi se bashkia do të vijojë të punojë me ritme të shpejta edhe në dy vitet e ardhshme.

Ai deklaroi se nisja e punimeve në këtë rrugë është një tjetër premtim i mbajtur.

“Me ritmet me të cilat po ecim, ku kemi trotuare modernë, bimësi, parkim, ku kemi kanalizime të ujërave të bardha e të zeza, sjellim modernizim në këtë lagje”, tha Veliaj, ndërsa shtoi se puna do të vijojë me 120 rrugë të tjera gjatë këtij viti në gjithë Tiranën, për t’u siguruar që i gjithë qyteti ka infrastrukturën e nevojshme dhe të njëjtën cilësi.

Kryebashkiaku shtoi se projekti i radhës është rikonstruksioni i Rrugës së Dibrës, si një ndër akset kryesore të Tiranës.

 “Fillimisht, në Rrugën e Dibrës kemi nisur me fasadat, për t’u rritur vlerën dyqaneve dhe pallateve, duke zgjidhur përfundimisht degradimin që po u ndodh ndërtesa. Tani do të vijojmë me rrjetin rrugor dhe nënshtresat, për t’u siguruar që deri në fund të verës, edhe Rruga e Dibrës, por edhe rruga e Oxhakut, të përfundojnë për t’i rritur vlerën pronës, të rregullojmë trafikun dhe t’i japim më shumë estetikë e gjelbërim qytetit”, u shpreh ai.

Nisur nga situata e furnizimit me ujë të pijshëm në disa zona të kryeqytetit, Veliaj u kërkoi qytetarëve që të tregohen bashkëpunues në këtë periudhë.

Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se uji i pijshëm, ashtu sikurse edhe energjia elektrike, nuk duhet të shpërdorohet nga qytetarët.

“U bëj thirrje qytetarëve që ta kursejmë ujin e pijshëm dhe të sigurohemi që një mall si uji i pijshëm, energjia elektrike, duhen trajtuar me shumë respekt. Gjërat e çmuara i vlerësojmë vetëm kur na mungojnë. Bashkia e Tiranës mund të disiplinojë pa fund, por nuk mund t’i vëmë polic çdo zorre uji. Kjo është arsyeja pse kërkojmë kulturë, civilizim, qytetari, që duke kursyer ujin e pijshëm dalim faqebardhë nga kjo thatësirë që nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe një pjesë të Italisë, Greqisë fqinje dhe Ballkanit jugor”, deklaroi Veliaj.

Rruga “Imer Ndregjoni” ndodhet në territorin administrativ të Njësisë Nr. 4. Ndërhyrja parashikon lirimin e hapësirave të zëna, ndërtimin e trotuareve, ndërtimin e plotë të rrjetit të kanalizimeve, asfaltim, ndriçim, si dhe pajisjen me të gjithë sinjalistikën e nevojshme për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve.