Transmetuar më 29-06-2017, 17:17

Partia Demokratike ka reaguar sërish në lidhje me zgjedhjet që do të zhvillohen për kryetarin. Me një deklaratë të nënshkruar nga dy nënkryetarët, Edi Paloka dhe Edmond Spaho, shprehen se zgjedhjet janë të hapura për çdo anëtar të PD-së.

“Zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike janë të hapura dhe çdo anëtar i Partisë Demokratike ka të drejtë të kandidojë. Kjo garë do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për reflektim, diskutim idesh dhe konkurrencë vizionesh për të ardhmen e PD dhe demokracisë në vend.

Mendimi ndryshe, debati dhe përplasja e ideve janë vlera themelore të Partisë Demokratike. Por diskutimet duhet të zhvillohen në mënyrë reflektive, të qytetëruar dhe etike duke respektuar të drejtën dhe dinjitetin e gjithkujt, përmes frymës së bashkimit dhe gjithëpërfshirjes dhe jo përçarjes e përjashtimit”, thuhet në njoftim.

Në lidhje statusin dy nënkryetarët shprehen se njëri prej nënkryetarëve zëvendëson kryetarin. “Ndryshimet në qëndrime dhe në mendime në Partinë Demokratike zgjidhjen vetëm përmes konkurrencës së kandidatëve dhe vendim-marrjes së anëtarëve. Në lidhje me çdo pretendim, statusi i Partisë Demokratike përcakton:

Neni 43, pika 1 dhe 2/ Nënkryetarët e Partisë:

1. PDSH ka dy nënëkryetarë të cilët zgjidhen sipas përcaktimit të nenit 37 të statusit.

2. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njeri prej tyre zëvendëson kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi (dorëheqje, etj). Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar në vendimin përfundimtar të Kuvendit Kombëtar.

Neni 58/ Afati i Zgjedhjeve: Të gjitha organet e Partisë duhet tu nënshtrohen zgjedhjeve të paktën çdo katër vjet”.

Më tej sqarohet se kryetari i PD Lulzim Basha ka autorizuar publikisht delegimin e të gjithë vendim-marrjes organizative tek dy nënkryetarët e PDSH dhe sekretari i përgjithshëm. Zgjedhjet e fundit për kryetarin e partisë janë zhvilluar në 22 korrik 2013. Vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve respekton këtë afat fundor për kryerjen e zgjedhjeve të radhës më 22 korrik 2017. /b.l/noa.al/