Transmetuar më 29-06-2017, 15:39

Temperaturat e larta kanë sjellë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet dhe jo vetëm. Bashkia e Tiranës ka mbledhur task-forcën për ujin e pijshëm, ku bëri të ditur dhe masat e marra për menaxhimin sa më të mirë të tij.

“Monitorim i aktivitetit të lavazheve dhe pishinave dhe mbylljen e përkohshme nëse do të jetë e nevojshme. Kush lan makinën e vet me ujë të pijshëm do të përfundojë në komisariat”, tha kreu i bashkisë.

Veliaj bëri me dije se në Tiranë ka probleme me furnizimin me ujë, kryesisht në zonën e Unazës së Re. Ai ka bërë thirrje që të mos shpërdorohet uji, duke theksuar se ka ngritur edhe një task-forcë që do të monitorojë të gjitha rastet kur ka shpërdorim të ujit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjithashtu u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes në këto ditë kur temperaturat i kanë kaluar 40 gradë celsius. Madje u ka kërkuar që të kontrollojnë edhe fqinjët e vetmuar, kryesisht ata në moshë të thyer.

Veliaj sqaroi se investimet e bashkisë në punë publike si shatërvanët e sheshit “Skënderbej”,  janë konceptuar për të minimizuar konsumin e ujit. Veliaj tha se ky sistem nuk ka asnjë lidhje me sistemin e furnizimit me ujë të qytetit të Tiranës. /b.l/noa.al/