Transmetuar më 29-06-2017, 14:10

Petrit Vasili në një konferencë për media pas mbledhjes së Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim, bëri me dije vendimet e marra gjatë saj.

“Personalisht kam vendosur të paraqesë dorëheqjen si kryetar i LSI, dhe do drejtoj grupin parlamentar të LSI”, deklaroi ai.

Vasili propozoi Monika Kryemadhin si kandidate për kryetare të LSI, duke nënvizuar kualitetin e saj politik të lidhur me qytetarin dhe jo me interesa të tjerë, por dhe bazuar në kualitetin organizativ të saj. Ai shtoi se Kryemadhi garanton urën lidhëse me qytetarët.

Për pozicionin e zëvendëskryetarit, propozoi Luan Rama, duke nënvizuar rëndësinë e tij në LSI dhe politikë.

Po ashtu ai bëri me dije propozimin e Erisa Xhixhos në postin e nënkryetarit të LSI.

Vasili lajmëroi mbledhjen e Konventës së LSI, të mërkurën e ardhshme për të marrë vendimet mbi çka u diskutua.

Për pozicionin e kryetarit të LSI, bëri me dije se deri të hënën në orën 12.00 është e hapur mundësia për të propozuar persona të tjerë.

Në emër të Kryesisë dhe të tijin ai shprehu falenderim për rreth 230 mijë votues të LSI, të jashtëzakonshëm dhe misionarë të LSI siç i quajti ai.

Lidhur me votuesit tha se  dhanë votën jo vetëm për të shënuar një rezultat tjetër shumë të suksesshëm në LSI, por se treguan se ishte e vetmja forcë që pati rritje në zgjedhje.

“Rezultat i madh dhe u maturua falë mijëra votuesve, simpatizantëve dhe anëtarëve të cilët votuan për një Shqipëri më të mirë dhe kundër strategjisë së krimit elektoral, shitblerjes së votës, kundër strategjisë së kërcënimeve. Votuan kundër task forcës PS-PD për zgjedhje pa standarde. Votuan kundër edhe tronditjes së bursës së euros, për shkak të dhjetëra milionë euro të derdhur për të blerë vota”, u shpreh Vasili.

Sipas tij, këta misionarë ngarkuan detyrë të re, atë të LSI si forca opozitare e vërtetë që i mungoi vendit, duke garantuar një opozitë të re dhe jo të kapur.

Ai shtoi se në katër vite Shqipëria nuk ka patur opozitë. Po ashtu tha se Kryesia e LSI analizoi këtë pozicion të ri, vendosi të vijojë puna e nisur.

Në këtë linjë shtoi se përgjegjësitë e reja duhen zhvilluar në funksion të qytetarëve shqiptarë.

Gjithashtu Vasili sqaroi sa u takon Këshillave Bashkiakë se LSI do të japë votën pro çdo nisme në shërbim të qytetarëve dhe kundër çdo të tille që bie ndesh me interesat e vendit, pavarësisht se kush e propozon atë. /a.y/noa.al