Transmetuar më 29-06-2017, 10:47

Dy vatra zjarri janë shfaqur ditën e djeshme në qarkun e Fierit dhe Elbasanit si pasojë e temperaturave të nxehta. Zjarri i parë përfshiu një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullishte në fshatin Dragot, Belsh.

 Shërbimi vendor i zjarrfikësve ndërhyri duke shuar plotësisht flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 2 hektarë me shkurre, ferra dhe 200 rrënjë ullinj.

Ndërkohë në fshatin Anëbreg, Njësia Administrative Kutë, Mallakastër ra zjarr në një sipërfaqe me grurë dhe ullishte. Për shkak të terrenit të thyer ndërhyrja e automjeteve të zjarrfikësve ka qenë e pamundur dhe zjarri është shuar me mjete rrethanore pas disa orësh punë, në bashkëpunim me komunitetin.

Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 1 hektarë me grurë, si dhe rreth 100 rrënjë ullinj shekullorë.

Duke qenë se ndodhemi në një periudhë me mot shumë të nxehtë dhe rreziku i zjarreve është i lartë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i bën thirrje komunitetit për kujdes maksimal.

Emergjencat Civile u kërkojnë të gjithë institucioneve qendrore dhe vendore të çdo niveli dhe drejtoritë rajonale të bashkëpunojnë ndërmjet tyre. Prefektët e qarqeve duhet të ngrenë menjëherë shtabet e emergjencave dhe të njoftojnë për mbështetje Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, pa lejuar që zjarret të marrin përmasave të papërballueshme.

Njëkohësisht Prefektët e qarqeve në zonat kufitare kërkohet që të mbajnë kontakte me homologët e tyre të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Greqisë për rastet kur zjarret ndodhen në zonat kufitare.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile u kërkon të gjithë qytetarëve që në rast se konstatojnë zjarre, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencave 112, 129, apo në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në numrin 06941 10 198.

Foto arkiv