Transmetuar më 28-06-2017, 17:23

Intesa Sanpaolo bleu Veneto Banca dhe Banca Popolare di Vicenza për 1 euro. Në këtë shitje përfshihen disa asete, detyrime dhe marrëdhënieve të caktuara juridike të dy bankave, për një çmim simbolik prej € 1 (Euro)

Vendimet e marra në fundjavë nga Banka e Italisë dhe Qeveria e Republikës së Italisë, kanë sjellë ristrukturim të plotë të veprimtarisë së grupit bankar “Veneto Banca”. Pjesa më e mirë e veprimtarisë së këtij grupi, ku përfshihen edhe filialet e tij në Shqipëri dhe në disa vende të tjera, i kanë kaluar Bankës Intesa Sanpaolo, grupi më i madh bankar në Itali. Kjo është e konfirmuar edhe në njoftimin për shtyp të grupit bankar Intesa Sanpaolo të datës 26 qershor 2017.

Për sektorin bankar shqiptar, kjo do të thotë që “Banka Veneto sh.a”, deri më parë e zotëruar plotësisht nga grupi bankar “Veneto Banca”, tani do të zotërohet nga grupi bankar “Intesa Sanpaolo” dhe aktiviteti i saj do të bëhet pjesë e këtij grupi bankar njoftoi sot zyrtarisht Banka e Shqipërisë.

Ajo tha se ndryshimi i aksionerit do të ruajë treguesit e mirë të bankës dhe do të përmirësojë administrimin e saj. Si edhe në raste të tjera të ngjashme, ndryshimi i aksionerit do të jetë një proces i pandjeshëm për veprimtarinë e përgjithshme, për depozituesit dhe për klientët e tjerë të bankës.

Në këtë proces, krahas mbikëqyrjes nga afër, Banka e Shqipërisë thotë se do të ushtrojë kompetencat që i njeh ligji dhe kuadri rregullativ për rastin e ndryshimit të aksionerit të një banke.

Intesa Sanpaolo bleu dy bankat për 1 euro

Në vijim të vendimit unanim të arritur nga Bordi Drejtues i saj, Intesa Sanpaolo ka nënshkruar një kontratë me likuiduesit e Banca Popolare di Vicenza dhe Veneto Banca lidhur me blerjen nga Intesa Sanpaolo të disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve të caktuara juridike të dy bankave, për një çmim simbolik prej € 1 (Euro).

Ndërhyrja e Intesa Sanpaolo bën të mundur shmangien e pasojave serioze sociale që do të rridhnin pëndryshe nga procedurat e likuidimit të detyrueshëm administrativ për të dy bankat. Kjo ndërhyrje do të ruajë vendet e punës në bankat e përfshira, kursimet e rreth dy milionë familjeve, aktivitetet e rreth 200,000 sipërmarrjeve të mbështetura financiarisht dhe, për rrjedhojë, vendet e punës së tre milionë njerëzve në zonat që regjistrojnë normën më të lartë të rritjes ekonomike të Italisë.

Intesa Sanpaolo do të blejë një gamë të caktuar aktivitetesh, e cila përjashton NPL-të (huatë e këqija, kredi të pamundura për t’u paguar dhe pagesat që u ka kaluar afati), obligacionet e subvencionuara, si dhe aksionet dhe marrëdhëniet e tjera juridike që Banka nuk i konsideron funksionale për blerjen. Sidoqoftë, Intesa Sanpaolo do të shpërndajë 60 milionë euro në total si dëmshpërblim për kursimtarët e vegjël që zotërojnë obligacione të subvencionuara të lëshuara nga dy bankat, e cila përfshin një shumë si ndërhyrje e saj e veçantë, përveç kontributit të saj të parashikuar proporcional në fondin e vënë në dispozicion nga sistemi bankar.

Qëllimi i blerjes përfshin, përveç aseteve dhe detyrimeve të përzgjedhura të Banca Popolare di Vicenza dhe Veneto Banca, aksionet në Banca Apulia S.p.A. dhe Banca Nuova S.p.A, SEC Servizi S.c.p.a., Servizi Bancari S.c.p.a. dhe, me miratimin e autorizimeve përkatëse, në bankat që veprojnë në Moldavi, Kroaci dhe Shqipëri. Në mënyrë të veçantë, kjo fushë përfshin:

– kreditë e mira, përveç kredive me risk të lartë, rreth € 26.1 miliardë,

– asetet financiare prej rreth 8.9 miliardë euro,

– asetet e taksave prej rreth € 1.9 miliardë,

– detyrime ndaj klientëve rreth 25.8 miliardë euro,

– obligacione “Senior” prej rreth 11.8 miliardë euro,

– depozita indirekte prej rreth 23 miliardë euro, nga të cilat asetet nën administrim rreth 10.4 miliardë euro,

– rreth 900 degë në Itali dhe rreth 60 jashtë Italisë duke përfshirë rrjetin bankar në Rumani,

– rreth 9,960 punonjës në Itali dhe rreth 880 jashtë Italisë.

Qëllimi i blerjes përfshin kredi me performancë risku të lartë prej rreth 4 miliardë eurosh. Sidoqoftë, Intesa Sanpaolo do të ketë të drejtën t’ua kthejë ato bankave në likuidim të detyrueshëm administrativ, nëse gjatë periudhës deri në miratimin e pasqyrës financiare më 31 dhjetor 2020 paraqiten këto kushte, duke kërkuar që këto kredi të klasifikohen si kredi të këqija ose kredi të pamundura për t’u paguar.

***

Lidhur me këtë zhvillim, në redaksinë e NOA mbërriti edhe një deklaratë e Drejtuesit Ekzekutiv të Intesa Sanpaolo Bank Albania, Silvio Pedrazzi. “Intesa Sanpaolo, Grupi bankar lider në Itali dhe një nga më solidët në Europë, ka blerë disa asete, detyrime, si dhe disa marrëdhënie të caktuara juridike të Bankës Popullore të Vincenzës (Banca Popolare di Vicenza) dhe Bankës Veneto (Veneto Banca), që përfshijnë rrjetin bankar në Rumani dhe pjesëmarrjet që janë subjekt i miratimit të autorizimeve përkatëse në bankat që operojnë në Moldavi, Kroaci dhe Shqipëri”.

Drejtori i Përgjithshëm i Intesa Sanpaolo, Carlo Messina flet më shumë mbi këtë zhvillim: “Sot, ne aprovuam blerjen e disa aktiviteteve të Bankës Popullore të Vincenzës (Banca Popolare di Vicenza) dhe të Banka Veneto (Veneto Banca), dy institucione që kishin arritur në një gjendje të dëshpëruar, gjerësisht të pranuar, dhe për të cilat përpjekjet e mëparshme të shpëtimit kishin dështuar. Kostoja e Bankës sonë për përpjekjet e shpëtimit të bëra më parë, së bashku me mbështetjen e dhënë për katër banka lokale përgjatë vjeshtës së 2015, arritën një total prej më shumë se 1.5 miliardë eurosh. Për më tepër Intesa Sanpaolo kishte konfirmuar dhe më parë se do të kontribuonte me pjesën e saj proporcionale të 1.2 miliardë eurove shtesë për rikapitalizimin e të dy bankave, gjë që nuk ndodhi për shkak të angazhimeve të pamjaftueshme nga pjesa tjetër e sistemit bankar”.

Messina pohon se “pa ofertën e prezantuar nga Intesa Sanpaolo – e vetmja e paraqitur në ankandin konkurues të mbajtur nga Qeveria – kriza e dy bankave do të kishte një impakt të rëndësishëm në të gjithë sistemin bankar Italian, me pasoja të rënda për ekonominë që do të kishte vënë në rrezik rimëkëmbjen ekonomike të vendit”.

“Ndërhyrja jonë do të na mundësojë të garantojmë sigurinë e rreth 50 miliardë eurove kursime të mbajtura nga të dy bankat, dhe të mbrojmë rreth 2 milionë klientë, prej të cilëve 200.000 sipërmarrje që operojnë në disa nga rajonet më dinamike të Italisë. Integrimi i të dy bankave dhe punonjësve të tyre do të menaxhohet pa pushime nga puna dhe vetëm përmes marrëveshjeve dypalëshe vullnetare”, – thotë Messina.

Në vijim të blerjes, Intesa Sanpaolo do të mbështesë ekonominë reale në rajonet ku dy bankat Veneciane operonin, duke e zgjeruar me 5 miliardë euro kreditimin afat-mesëm dhe afat-gjatë në gjysmën e dytë të 2017-ës, si shtesë mbi 50 miliardë eurot që Intesa Sanpaolo parashikon të kreditojë në Itali përgjatë gjithë vitit.

Intesa Sanpaolo do të kontribuojë gjithashtu për dëmshpërblimin e zotëruesve të obligacioneve të subvencionuara, për një total prej 60 milionë eurosh.

“Oferta e sotme e propozuar nga Bordi ynë Drejtues u bë me kushtin që të mos ketë asnjë impakt në fortësinë e kapitalit të Intesa Sanpaolos duke ruajtur 860 miliardë eurot e kursimeve që i janë besuar Bankës sonë, si dhe duke mos ndikuar mbi të drejtat e aksionerëve tanë”, – detajon më tej z.Messina. /noa.al/