Transmetuar më 27-06-2017, 11:58

Tensionimi dhe bllokimi i procesit të numërimit në Kavajë ku pas përfundimit të votave për deputetë, do të niste ai i kutive për kryebashkiakun e ri, bëri që ministri i Brendshëm Dritan Demiraj të shkojë me urgjencë atje.

Kjo pasi komisionerët e Partisë Socialistë bllokuan vijimin e numërimit në KZAZ nr.42.

Pasi takoi efektivët e policisë të pranishëm, ministri tha se qëllimi i vizitës së tij është mbarëvajtja e punës së këtij procesi.

“Jam në mbështetje të policisë që të realizojë misionin e saj. Jemi këtu që të garantojmë një rezultat që të mos jetë i ndikuar nga njerëzit. U bëj thirrje të gjithë mbështetësve të partive të qëndrojnë larg KZAZ, të zbatojnë rendin dhe sigurinë. Të lejojnë policinë dhe numëruesit e votave të mbarojnë punën”, deklaroi Demiraj.

Kujtojmë se për kryetar bashkie në Kavajë nga PS kandidon Dorian Murati, nga PD Isa Sakja dhe nga LSI Maksim Koni. /a.y/noa.al