Transmetuar më 27-06-2017, 10:30

Tashmë që Partia Socialiste e ka siguruar drejtimin e qeverisë për katër vitet e ardhshme duke fituar 74 deputetë, Kryeministri Edi Rama u ka dërguar një mesazh të gjithë kandidatëve.

Ai u shkruan “Ia dolëm, aty ku askush përveç nesh nuk e besonte se do ia dilnim”.

Më tej shton se shqiptarët u kanë bërë nderin e madh dhe se fitorja është përgjegjësi e rëndë mbi shpatulla.

Por Kryeministri thotë se ka fituar Shqipëria që kërkon shtet, punë, mirëqenie kundër partive që kërkojnë tepsinë e pushtetit në kurriz të popullit e në dëm të shtetit.

Më tej paralajmëron takimin përshëndetës në sheshin “Skënderbej” në orën 18.30 të mbrëmjes së sotme, në atë që e quan “përqafimin e këtij momenti historik”.

Mesazhi i Kryeministrit drejtuar kandidatëve për deputetë

Ia dolëm! Ia dolëm aty ku askush përveç nesh nuk e besonte se do ia dilnim! Shqiptarët na kanë bërë nderin më të madh që mund t’i bëhet njerëzve që kërkojnë votën e popullit për të mishëruar aspiratat, ëndrrat dhe shpresat e tyre! Kjo fitore është përgjegjësia më e rëndë që mund të merrnim mbi shpatullat tona. Ka fituar Shqipëria që kërkon shtet, punë, mirëqenie kundër partive që kërkojnë tepsinë e pushtetit në kurriz të popullit e në dëm të shtetit! Një bravo e madhe të gjithëve ju dhe gjithë njerëzve që u angazhuan në vijën e parë të betejës për Shqipërinë që duam  Sot në orën 18:30 në sheshin Skënderbej, për përqafimin e këtij momenti historik, me të gjithë ata që duan dhe mund të na bashkohen nga Tirana e nga çdo qark Rroftë Partia Socialiste e Shqipërisë Rroftë Shqipëria ”, shkruan Rama në “sms” për kandidatët për deputetë. /a.y/noa.al