Transmetuar më 23-06-2017, 16:21

Senatorja e “të gjelbërve”, Larissa Waters ngriti një mocion në Parlamentin federal australian, ndërsa i jepte për të pirë foshnjës së saj 14 javëshe.

“Faleminderit zëvendëskryetar. Unë kërkoj që mocioni nr. 388, që mban emrin tim, të bëhet një mocion zyrtar”, tha deputetja Waters.

Mocioni ka të bëjë me sëmundjen e mushkërive të zeza që prek zakonisht minatorët. Kishte edhe nga ata që nuk e pëlqyen aktin e saj, duke shprehur fjalë fyese.

Vendimi i senatores për të ushqyer me gji vajzën në Parlament gjithashtu i shkaktoi mesazhe të panumërta përkrahjeje dhe lavdërimi për guximin e treguar.

“Vazhdoni të bëni atë që po bëni, sfidoni stereotipet dhe udhëhiqni me shembull. Ndryshimi është shumë i rrallë, unë jam krenar për ju “, tha një grua.

Senatorja e “të gjelbërve” pushtoi titujt kryesorë të gazetave në maj të këtij viti, duke u bërë e para grua që ushqente me gji brenda një Parlamenti federal, pasi një masë ndaluese u hoq një vit më parë duke lejuar që ushqimi me gji të bëhet edhe brenda në sallë. /b.l/noa.al/