Transmetuar më 21-06-2017, 18:46

Kreu i opozitës gjatë një takimi elektoral pasditen e sotme me banorë të Shkodrës ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ish kreun e LSI-së Metën se nuk kanë bërë asgjë për Shkodrën gjatë këtyre katër viteve qeverisje.

Ai i cilësoi ata si “palaço estrade” duke u shprehur se bëjnë opozitën e njeri- tjetrin pasi sipas Bashës nuk kanë fytyrë të dalin përpara qytetarëve.

“Katër vite më parë koalicioni i krimit, drogës, mashtrimit zuri hije këtu për ti bërë karshillëk shkodranëve të ndershëm duke hedhur hije të zezë mbi Shkodrën dhe gjithë  Shqipërinë.

Por s’mund ta ketë kurrë bekimin e Shkodrës, Shkodra u kthye në mallkim për koalicionin e korrupsionit, krimit. I dëgjoni si flasin, si palaço estradash bëjnë sikur nuk kanë qeverisur këta për katër vite, bëjnë opozitën e njeri- tjetrin se nuk kanë fytyrë të dalin përpara qytetarëve.

Njëri për koncesionet e tenderat, tjetri për oligarkët, sikur nuk ishin këta 4 vite në qeverisje. Me politikën e tyre anti-ekonomi, askush nuk e harron, te gjithë e dinë se Edi Rama premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas, taksa të ulëta, legalizime falas, shtet ligjor por nuk i mbajti këto premtime, por e mbushi shtetin me drogë dhe kriminelë”, u shpreh Basha. /b.l/noa.al/