Transmetuar më 21-06-2017, 14:08

Kryeministri Edi Rama ka një mesazh për të gjithë votuesit që do u drejtohen kutive të votimit më 25 qershor.

Mesazhin e tij e jep nga makina teksa udhëtonte nga Kruja për në Durrës, ku do të zhvillojë takimin e radhës. Ai u kërkon të gjithë qytetarëve, të kontaktojnë me sa më shumë njerëz dhe t’i bindin ata që të shkojnë në kutitë e votimit.

“Ju lutem flisni me kë të mundeni, kanë mbetur edhe 96 orë deri të dielën për të vendosur nëse flamuri ynë kombëtar, ai kuqezi do jetë i vetmi flamur në rrugën e qeverisjes drejt Shqipërisë që duam, apo qeveria do të ndahet si plaçkë për lloj lloj partish”, shprehet Rama, në videon e publikuar prej tij në Facebook.

Kryeministri kërkon që të binden të lëkundurit, duke thënë se shqiptarët duhet të zgjedhin të bashkuar për Shqipërinë me shtet, mbi parti.

“Ju që jeni në emigracion dhe nuk vini dot ngrini telefonin, flisni me familjarët dhe të njohurit në Shqipëri qofshin socialist dhe demokrat dhe shpjegojuni se nuk po kërkoj më shumë pushtet për vete por për të bërë më shumë për ju”, u drejtohet Rama në apelin e tij demokratëve.

Ai kërkon që me fuqinë e votës të bëhen reforma të mëdha, ndërsa shton se ka shumë për të humbur nëse tepsia e partive nuk çohet për skrap më 25 qershor. /a.y/noa.al