Transmetuar më 21-06-2017, 10:49

Ndalimi i radhës i Lulzim Bashës ishte në Kukës në një takim elektoral. Kryetari i Partisë Demokratike tha se Shqipëria meriton një ndryshim epokal, por kjo sipas tij, nuk mund të vijë pa shporrur atë që e quajti qeverinë e krimit dhe korrupsionit.

“Sot jam këtu për tu ulur me respekt ndaj punës tuaj dhe t’ju them se jam gati t’ju udhëheq drejt një ndryshimi tjetër epokal. Shqipëria ka nevojë të ndryshojë duke përqafuar atë plan që garanton punësim dhe mirëqenie. Kjo nuk mund të vijë pa shporrur qeverinë e krimit, drogës, që e trajtoi Shqipërinë si rezervat privat për pasurinë e Edi Ramës dhe çetës së tij grabitqare”, tha Basha.

Kryedemokrati foli për tentativë të vjedhjes së votës nga kandidati i PS-së në Kukës, Safet Gjici. Basha paralajmëroi se çdokush që do guxojë të prekë votën e kuksianëve dhe të tjerëve, do ta presë burgu i pamëshirshëm.

“E garantoj, dhe i garantoj me fjalë burrash, ju pret burgu i pamëshirshëm, se do goditesh dhe do goditeni me forcën e hekurt të ligjit. Hiqni duart nga vota e kuksianëve, hasianëve, tropojanëve, asgjë nuk e ndal fitoren tonë ditën e dielë. Katër vite kohë pas premtimeve të panumërta, Edi Rama nuk mbajti asnjë premtim”, shtoi më tej lideri i opozitës.

Basha thumboi dyshen Rama-Meta kur tha se sillen sikur katër vite kanë qenë në opozitë, sepse sipas tij kanë dështuar mbi çdo gjë. Dështimi i tyre tha z. Basha, do të ndëshkohet me votë. /k.k/noa.al/