Transmetuar më 20-06-2017, 17:41

Me banorë të Gramshit kryeministri Edi Rama këtë pasdite gjatë një takimi elektoral ka kërkuar nga ata votën e tyre në 25 qershor që së bashku të ndërtojnë Shqipërinë që të gjithë duan dhe të zgjedhin mes të ardhmes dhe të shkuarës. Ai ka premtuar se në katër vitet e ardhshme do bëjnë që rroga minimale të jetë 300 mijë lekë.

"Duhet ta vlerësoni si patriotë të drejtën për të zgjedhur në 25 qershor, sepse në 25 qershor nuk është një zgjedhje si gjithë të tjerat dhe nuk do zgjidhni mes partive se kush do qeverisë për katër vitet në vazhdim, por do zgjidhni mes të ardhshmes dhe të shkuarës. Partia Socialiste ka vërtetuar se ka Shqipërinë në zemër, prandaj duam që së bashku të bëjmë Shqipërinë që duam. Jemi këtu për të thënë se jemi të gatshëm të marrim përgjegjësinë nëse ju na lejoni që të marrim timonin dhe në katër vitet e ardhshme të bëjmë 4 fishin e atyre që janë bërë këto 44 muaj. Do bëjmë që rroga minimale të shkojë 300 mijë lekë”, deklaroi Rama.

Më tej ai premtoi mbështetje për të gjithë fermerët shqiptarë duke u shprehur se ata nuk mund të ndahen në të majtë dhe të djathtë.

“Do mbështesim fermerët shqiptarë pa dallim bindjesh politike sepse nuk ka të djathtë e të majtë, por shteti shqiptar duhet t’i rrijë pranë dhe t’i mbështesë. Miqtë e mi ka shumë gjëra për të bërë, në 44 muaj nuk kemi bërë mrekullia, por kush thotë se jemi të gjithë njësoj asnjë nuk e beson sepse nëse do të ishim njësoj, Gramshi do vazhdonte me historinë që të urtit që zbatonin rregullat të trajtoheshin si budallenj dhe të fortët si të mençur”, shtoi Rama. /b.l/noa.al/