Transmetuar më 18-06-2017, 21:41

Emisioni “Fiks Fare” ka denoncuar këtë të premte sesi nga një gafë e zyrës së Gjendjes Civile, nënë e bijë janë bërë motra, duke futur familjen në një qorrsokak administrativ.

Rasti ka ndodhur në Paskuqan të Kamzës, ku familja Bilali ka denoncuar se gabimi është kryer nga zyra e Gjendjes Civile e Paskuqanit, e cili nuk është mbyllur vetëm me kaq, pasi gabimet kanë vijuar edhe pas martesës së vajzës, të cilës i kanë ndërruar emrin e të atit.

Zoti Bislim Bilali nga Kukësi, i cili jeton në Paskaquan thotë për “Fiks Fare” se në certifikatën familjare të marrë nga Gjendja Civile është shkruar se e shoqja dhe e bija, përkatësisht Bedrie dhe Fatbardha Bilali, dalin se janë dy motra, sepse dy zonjat kanë të njëjtin baba dhe të njëjtën nënë.

Të dyja rezultojnë në certifikatën familjare se kanë baba Hasanin dhe nënë Shahen. Asnjë nga të “pandehurit” e kësaj familje nuk pranon një gjë të tillë, por thonë se janë një familje dhe se zonja Fatbardha është vajza e tyre, transmeton TCH. Po ashtu, në një certifikatë familjare të Fatbardhës, e cila pas martesës ka marrë mbiemrin Oruçi, edhe pse është tentuar ndreqja e gabimit nga Gjendja Civile del se ajo ka nënë Bedrien dhe baba Besimin.

Pra, zyra e Gjendjes Civile ka rregulluar emrin e nënës, por ka ndryshuar emrin e babait nga Bislim në Besim, ndërkohë që askush nuk ka dhënë një zgjidhje për këtë ngërç, që tashmë ka krijuar probleme për këtë familje.