Transmetuar më 18-06-2017, 09:28

Nga Eduard Zaloshnja

Në dy ditët e fundit zhvillova një sondazh elektronik me 4000 të anketuar, të shpërndarë në të gjitha qarqet. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor në nivel kombëtar për këtë sondazh është plus/minus 2%. 

Nga sondazhi rezultoi se 25% e zgjedhësve me banim në Shqipëri janë të vendosur të mos votojnë në zgjedhjet e kësaj radhe, ndërsa 10% të tjerë janë ende të pavendosur nëse/për kë do të votojnë.

Duke ndërthurur të dhënat e detajuara të sondazhit me historikun elektoral të çdo qarku, bëra një projeksion probabilitar të mandateve (duke presupozuar se zgjedhjet janë sot). Në skenarin me probabilitet më të lartë, PS-ja do të rezultonte sot parti e parë me 46% të votave në rang kombëtar dhe me 70 mandate.

Në dy skenarë të tjerë, me probabilitet disi më të ulët, PS-ja do të rezultonte e para, por me një mandat më pak ose më shumë se 70.

Ndërsa në dy skenarë edhe më pak të mundshëm probabilisht, PS-ja do të rezultonte e para, por me dy mandate më pak ose më shumë se 70.

Në figurën e mëposhtme është paraqitur kurba e funksionit të përafërt të densitetit të probabilitetit për intervalin e mandateve që mund të merrte PS-ja, në qoftë se votimi do të ishte kryer sot.

Ky grafik tregon përmbledhtazi që, në qoftë se do të votohej sot, me siguri statistikore 95%, PS-ja do të rezultonte në intervalin 70 plus/minus 2 mandate. 

Sidoqoftë, deri në ditën e zgjedhjeve, duhet të kalojë edhe një javë (java më intensive e fushatës), dhe gjërat mund të ndryshojnë.

Mos të harrojmë se plot 10% e zgjedhësve me banim në Shqipëri janë ende të pavendosur nëse/për kë do të votojnë…