Transmetuar më 11-06-2017, 23:22

Nga Veton Surroi

Katër arsye pse duhet "refuzuar estetikisht" flamurin që prezantohet të jetë i Kosovës, por që nuk është.

1.                       

Kishte, jo pak, njerëz të befasuar (në shkallë të ndryshme të kënaqësisë a pakënaqësisë) kur lexuan mendimin tim për flamurin e Kosovës, se i përngjet më shumë peshqirit të një hoteli turk (vetëm atje kam parë hotele me më shumë se pesë yje) sesa simbolit të identitetit të këtij vendi. Nga aspekti estetik, flamuri-peshqir i Kosovës mund të hyjë në garë botërore dhe të ketë rezultate të njëjta sikur në atë PISA për shkrim, lexim e matematikë. Pra, të jetë diku nga fundi, ndonëse kam bindjen - të pathemeluar në ndonjë studim empirik - se ndoshta edhe mund të ishte i pari në fund të listës.

Nga ky vështrim pjesëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje (apo në të kaluarën edhe të AAK-së) që nuk e duan këtë flamur dhe, për më tepër, nuk kanë respekt për të, mund të thuan se shpërfillja e tyre për flamurin e Kosovës është "refuzim estetik", një formulë e proklamuar që në titull në librin e Ibrahim Rugovës si pjesë e besimit të tij në rezistencë paqësore. Një formulë e këtillë ndoshta do ta ndihmonte edhe LDK-në të marrë qëndrim ndaj atij që prezantohet të jetë flamur i Kosovës.

E, në këtë garë zgjedhore doli të jetë temë edhe flamuri i Kosovës, gjegjësisht se kush duke mos e respektuar atë flamur nuk e respektuaka shtetin e Kosovës.

2.

Në fakt - dhe ja një mendim heretik - mund të dalë fare lehtë që ata që nuk e respektojnë këtë formë të flamurit të Kosovës kanë gjasa të jenë respektues të mëdhenj të Republikës së Kosovës.

Ta shpjegoj këtë me tri pika.

E para, flamuri i tanishëm i Kosovës nuk është produkt i planit Ahtisaari. Ka qenë evidente se Kosova, si shtet i pavarur, duhet t'i ketë simbolet e veta, por presidenti Ahtisaari dhe ndërmjetësit e tjerë nuk e kanë sjellë këtë formë të flamurit, e as kanë bërë ndonjë udhëzim që do të na detyronte që ta miratonim këtë formë të flamurit. Rrjedhimisht, Kosova nuk ka kurrfarë obligimi ndërkombëtar ndaj këtij flamuri, me gjithë famën e krijuar. Përkundrazi, dukja e flamurit është krejtësisht çështje e brendshme dhe sovrane e këtij vendi.

E dyta, flamuri i tanishëm i Kosovës nuk është produkt i një marrëveshjeje politike, të brendshme apo me faktorë ndërkombëtarë. Ekipi i Unitetit ka marrë një letër - si detyrë shtëpie - me të cilën janë dhënë kritere kufizuese (të mos ketë shpezë, të mos duket si flamujt e vendeve fqinje, të mos duket si ai i Amerikës, të mos ketë këtë apo atë ngjyrë). Këtë letër e ka zbatuar si nxënës, jo si partner i marrëveshjes. Sot, dhjetë vjet më pas, nuk ke kë ta pyesësh se me cilin institucion është marrë vesh Ekipi i Unitetit për zbatimin e "letrës". Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka pasur marrëveshje. Rrjedhimisht, flamuri i Kosovës nuk qe prodhim i Ekipit të Unitetit (përfaqësuesi të një konsensusi pushtet-opozitë) e as i marrëveshjes së këtij Ekipi me ndonjë shtet apo grupe shtetesh që sponsorizuan pavarësinë e Kosovës.

Dhe e treta, flamuri i sotëm i Kosovës nuk është i përligjur. Ai u shpërfaq për herë të parë në Kuvend të Kosovës, në ditën e shpalljes së Pavarësisë, por deri më sot nuk ekziston akt juridik, i cili do të na thoshte se ky që pretendon se është flamur i Kosovës është me të vërtetë i këtillë. Kemi Kushtetutë e ligj që na thonë se Kosova ka flamur, por nuk kemi Kushtetutë e ligj që të na thonë se cili është ai.

3.

Flamuri i tanishëm që quhet i Kosovës nuk ka vlerë estetike, nuk është pjesë e një detyrimi ndërkombëtar , nuk është pjesë e një marrëveshjeje politike të brendshme dhe nuk ka mbështetje ligjore. I përkthyer edhe më, është i shëmtuar, nuk ka legjitimitet ndërkombëtar, nuk ka legjitimitet të brendshëm dhe nuk është i ligjshëm.

Përse kemi një flamur të këtillë, që prezantohet të jetë i yni?

Sepse nuk ka qenë i dizajnuar të jetë yni. Po të ishte, do të kishte vlerë më të madhe estetike (me domethënie shprehje), do të kishte legjitimitetin e brendshëm, do ta fitonte atë të jashtëm dhe do të ishte pjesë e një procesi juridik që do ta përligjte.

I këtillë siç është, me mënyrën se si po përpiqet të ndërtohet si flamur shtetëror, e përfaqëson frymën politike që e solli. I kontrabanduar në Kuvend, shpërfillës ndaj nocionit të legjitimitetit dhe legalitetit është tamam flamuri i zap'imit, kulturës politike të kapjes së shtetit. Është simboli se ashtu siç bënë me çdo gjë tjetër, edhe me simbolet e shtetit bëjnë ç'të duan.

4.

Shpërfillja e flamurit-peshqir, "refuzimi estetik" i tij, atëherë shndërrohet jo në sulm ndaj Republikës, por në mbrojtje të saj.

Mbrojtja e Republikës bëhet me shumëçka tjetër (ekonomi, shkolla, rend e ligj) por edhe me simbole që kanë legjitimitet e legalitet.

Kur të bisedohet për çkapjen e shtetit, nuk ka arsye pse të mos përmendet se ky shtet ka nevojë për simbole të shtetësisë, jo të zap'imit të saj.