Transmetuar më 07-06-2017, 09:58

Ministria e Financave i kërkon Prokurorisë të nisë hetimet ndaj drejtorit Rajonal të Tatimeve në Kukës, Albert Halilaj. Zyrtari akuzohet se është përfshirë në fushatë elektorale, në kundërshtim me ligjin.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat, nga ministria e Financave, thuhet se ka informacione që Halilaj të ketë bërë fushatë në kuadër të zgjedhjeve të 25 qershorit.

“Ministria e Financave ka informuar Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin, e z. Albert Halilaj, Drejtor Rajonal i Tatimeve në Kukës. Nisur nga informacionet, Z. Halilaj, rezulton të jetë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ky dikaster kërkon nga punonjësit e të gjitha institucioneve në varësi që të zbatojnë ligjin që i'u ngarkon detyra. Ministria e financave drejtohet nga Helga Vuka, pas shkarkimit të ish-ministrit Ahmetaj, mbi bazën e marrëveshjes Rama-Basha.

Deri tani, më shumë se 20 punonjës të administratës janë shkarkuar nga detyra, me akuzën se janë përfshirë në fushatë elektorale. /k.k/noa.al/