Transmetuar më 30-05-2017, 21:49

Nga Afrim Krasniqi

Ishin, janë dhe do jenë! E nisën jetën parlamentare më 1991-1992 dhe vijojnë të kenë mandate parlamentare edhe më 2017-2021. Vetëm 6, tre të majtë dhe tre të djathtë. Berisha, Ruçi e Shehu nga 1991; Majko, Ulqini dhe Shehi më 1992. Ruci ka bërë një ndërprerje më 1996, Berisha pa ndërprerje, Shehu bëri shkëputje më 2001 dhe 2013, Ulqini pati një ndërprerje në mandatin e parë të Ramës dhe Shehi gjithashtu me disa vite ndërprerje pas ndarjes nga PD. Por kanë mbetur në lojë dhe sot janë drejtues në parti ose aktiv në politikë.

Bilanci i jetës së tyre parlamentare? Bilanci i efektiviteti dhe dobisë publike që kanë sjellë? Me siguri, secili lexues ka opinionin e tij, - siç edhe ne. Dhe nuk është bardh e zi, por diçka e mesme, siç është vetë tranzicioni 27 vjeçar, ku gjashtë burrat e mësipërm mbijetuan shpesh duke kaluar rrugë në të cilat nuk do të donin të kishin shkelur dhe për të cilat nuk do të donin të flisnin as sot dhe as mot. Njëri njihet për aftësinë të mbajë grusht partinë, tjetri të mbijetojë përmes krizave, tjetri për të administruar pushtetin edhe kur ai i ikën me vrap, tjetri për të imituar shefat politikë, tjetri për të punuar jashtë vëmendjes publike, tjetri për të folurën popullore, - secila aftësi e zgjedhje personale, por që në fund të fundit është e vështirë për të kuptuar nëse janë cilësitë e duhura për të mbetur gjithmonë në krye dhe për tu imponuar si modele politike.

Model për brezin e ri? Me siguri secili mund të ketë mbështetësit e tij, por një detaj vlen të theksohet: ata që lindën ditët kur këta hynë në parlament u rritën, shkuan në shkollë, në universitet apo emigrim, sot me siguri janë prindër, kanë fëmijë për të rritur dhe po me siguri janë ende në dilema të mëdha nëse e shohin të ardhmen e tyre këtu. Ata janë në dilemë, kurse KETA jo, nuk kanë dilemë, në parlament ishin dhe në parlament janë, natyrisht me votat e prinderve tane, tonat dhe ka mundesi edhe te femijeve tane.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al