Transmetuar më 26-05-2017, 14:11

Tre mjekë janë vënë nën hetim lidhur me vdekjen e një gruaje gjatë një operacioni te materniteti i vjetër në kryeqytet, i njohur si “Mbretëresha Geraldinë.

Noa.al mëson se mjekët e vënë nën hetim janë Blenard Nonaj, 44 vjeç drejtor i maternitetit, “Mbretëresha Geraldinë”, Zef Delia, 50 vjeç, banues në Tiranë, mjek anestezist dhe Violeta Todhe, 61 vjeçe, mjeke anesteziste.

Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Nr. 3 thanë se mjekët janë vënë nën hetim pasi gjatë së mërkurës në maternitet ka gjetur vdekjen Engjëllushe Stafa, 39 vjeçe banese në zonën e Qytetit Studenti në kryeqytet, e cila i ishte nënshtruar një operacioni për heqjen e një tumori në mitër.

Ndërhyrja ishte parashikuar si mundësia e fundit e shpëtimit për të ndjerën për shkak të gjendjes së rëndë të saj, por nuk ia doli të mbijetonte. Gjithashtu bëhet me dije se familjarët ishin njoftuar për rrezikun, por shpresa vdiste e fundit për ta…

Noa.al mëson gjithashtu se mjekët nuk po hetohen për veprën penale që parashikohet nga Neni 300 i Kodit Penal- Moskallëzimi i krimit.

Ky nen përcakton se “moskallëzimi në organet e ndjekjes penale, në gjykatë, në organet e rendit publik, të pushtetit ose të administratës, i një krimi që është duke u kryer apo që është kryer, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Sipas komunikatës zyrtare të Policisë së Shtetit, tre mjekët nuk kanë njoftuar në kohë organet kompetente dhe kanë lejuar që të merrej kufoma nga të afërmit pa iu nënshtruar ekzaminimeve në morgun e Institutit të Mjekësisë Ligjore. /a.y/noa.al