Transmetuar më 23-05-2017, 14:06

Katër persona në Maliq të Korçës, janë kapur duke  vjedhur sasi të konsiderueshme nafte në disa mjete të parkuara të cilat kryenin punime për ndërtimin e gazsjellësit TAP.

Migen Kita, 34 vjeç dhe Shkëlzen Gjoni, 30 vjeç, të dy banues në Korçë me detyrë punonjës shërbimi në një shoqëri private të ruajtjes e sigurisë fizike, u arrestuan gjatë ditës së sotme për veprën penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën, kryer në bashkëpunim”.

Krahas tyre u vunë në pranga edhe Xhuljan Kolaqis, 21 vjeç dhe Ervin Terolli, 32 vjeç, të dy banues në fshatin Zvezdë, për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.

Arrestimi i tyre u bë pasi, gjatë ditës së djeshme, e hënë, në krah të aksit rrugor Zëmblak-Zvezdë, në bashkëpunim mes tyre u kapën në flagrancë duke vjedhur një sasi të konsiderueshme nafte në disa mjete të parkuara, të cilat kryenin punime për ndërtimin e gazsjellësit.

Ndaj të dyshuarve materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për ndjekje të mëtejshme. /a.y/noa.al