Transmetuar më 23-05-2017, 11:23

Një studim i fundit i realizuar nga studiues australianë, zbuloi se femrat kanë më shumë gjasa që për shkak të lodhjes të kenë më shumë çrregullime të gjumit sesa meshkujt.

Studimi i botuar në revistën shkencore ‘Journal of Sleep Medicine’, përfshinte 744 persona në Australi të cilët u vëzhguan lidhur me çrregullimet e gjumit në një periudhe kohore nga prilli i vitit 2013 deri në janar të 2015-ës.

Në përfundim të eksperimentit shkencëtarët zbuluan se femrat janë më të ndjeshme nga rutina e përditshme dhe vuajnë më shumë nga pagjumësia në krahasim me meshkujt.

“Ne kemi gjetur se femrat kanë më shumë gjasa të kenë çrregullime gjumi, të cilat më pas shoqërohen me përgjumje gjatë ditës”, tha në një deklaratë për mediat, Dr. John Malouf, themelues i SleepGP, shkruan noa.al.

Nga përgjigjet e pyetësorëve, hulumtuesit konstatuan se femrat kishin më shumë gjasa të kishin simptoma më të rënda të depresionit, probleme me gjumin gjatë natës dhe një përgjumje të tepruar gjatë ditës në krahasim me meshkujt.

Edhe pse mund të kishin kaluar një ditë të lodhshme, prapë se prapë meshkujt ishin ata që gërhisnin më shumë në krevat duke i detyruar partneret e tyre të flenë në dhoma të ndara.

Studiuesit shtuan më tej se gratë gjithashtu kishin një shkallë më të lartë vështirësie për t’u përqendruar dhe për të kujtuar gjërat për shkak të përgjumjes ose lodhjes sesa burrat. /g.v/noa.al