Transmetuar më 22-05-2017, 19:56

Reklama falas në televizionet private. Është ky pakti mes dy partive më të mëdha, PS e PD për hapësirat mediatike në zgjedhjet parlamentare.

Në ndryshimin ligjor thuhet se “radiot dhe televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore, detyrohen të vënë në dispozicion falas për subjektet zgjedhore për reklama politike, respektivisht vetëm 90 minuta për partinë më ta madhe të shumicës parlamentare dhe partinë më të madhe të pakicës parlamentare, 45 minuta për partitë e tjera parlamentare dhe 10 minuta për partitë joparlamentare”.

Partitë politike, dhe çdo subjekt tjetër, e kanë të ndaluar të reklamojnë aktivitetet e tyre me pagesë gjatë fushatës elektorale. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore llogaritet si shpenzim i plotë i zbritshëm për efekte tatimore.

Lidhur me këtë propozim, ngarkohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Ministri i Financave të nxjerrin udhëzimin përkatës.

Në rast të shkeljeve të detyrimeve të parashikuara, apo transmetimit të reklamave politike kundrejt pagesës, KQZ gjobit operatorin radioteleviziv vendor apo satelitor me 4 milionë lekë, operatorin radioteleviziv kombëtar me 8 milionë lekë, dhe partinë politike me 3 milionë lekë. /k.k/noa.al/