Transmetuar më 22-05-2017, 11:35

Një person ka mbetur i plagosur në një lokal në Fushë Gjormë të Kurbinit në rrethana të dyshimta.

Mëngjesin e djeshëm në spitalin e Lezhës, ka shkuar i dëmtuar me mjete të mprehta në dorë një person.

Në një lokal në Fushë Gjormë në Kurbin, në gjendje të dehur, Lekë Kola dyshohet se është vetëdëmtuar në krah me shishe pije alkoolike të thyer.

Gjithashtu dyshohet se janë përdorur edhe armë zhurmuese imituese si dhe Lekë Kola ka patur armë zjarri dhe në gjendje të dehur ka qëlluar në ajër ku nuk ka patur asnjë person të plagosur .

Gjatë këqyrjes në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë armë zjarri në ambientet e jashtme të lokalit dhe dy gëzhoja pistolete simuluese pistoleta imituese zhurmuese.

Nga ana e policisë u bë arrestimi i 36- vjeçarit Lekё Kola, banues në Lezhë për veprat penale “Moskallëzim krimi”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “ Prishje e qetësisë publike”; Alfred Kola, 32 vjeç, banues në Lezhë për vepren penale “Moskallëzim krimi”; Vlash Currakaj, 21 vjeç, banues në Lezhë për vepren penale “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu u proceduan penalisht në gjendje të lirë M.G., 27 vjeç, banues në Krujë dhe A.A., 20 vjeç, banues në Kurbin për veprën penale “Moskallëzim krimi”.

U shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e M. (B). L., 32 vjeç, banues në Kurbin pasi kujdesej për lokalin dhe dyshohet se pas ngjarjes ka prishur vendin e ngjarjes dhe është larguar.

Ai akuzohet për veprat penale në ngarkim të tij “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në këtë lokal u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 kompjutera lojëra fati të palicencuara.

Në lidhje me këtë u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. B. 21 vjeç, banues në Kurbin për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Vënia në dispozicion e lokalit për lojëra të palejuara”.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasit A.( F.) L., 29 vjeç, banues në Malbardhë në Kurbin, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Lidhur me këtë ngjarje materialet i kaluan Prokurorisë së Kurbinit për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al