Transmetuar më 20-05-2017, 12:00

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rindërtimin e rrugës “Shefqet Kuka”, si dhe të rrugëve lidhëse në Njësinë Nr. 4.  Kryebashkiaku Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektoi përfundimin e punimeve, ku tha se falë investimeve të tilla është mundësuar transformimi i një zone në të cilën nuk ishte vënë dorë prej vitesh.

“Mbaj mend, jo vetëm në fushatë, po edhe para gjashtë muajve, kjo ishte një zonë e ngjashme me shumë vende që i kemi parë në dokumentarët për Afrikën. Kur binte shi balta bëhej deri në gju, kur kishte diell pluhuri të zinte fytin. Sot është një situatë krejt tjetër, kemi një rrugë të të gjitha standardeve. Rruga sjell civilizim”, tha Veliaj.

Ai deklaroi se investime të tilla janë tregues se Bashkia e Tiranës punon me të njëjtin ritëm dhe me të njëjtën cilësi për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve, si në qendër, ashtu edhe në periferi.

“Me sheshin ‘Skënderbej’ që e hapim në 10 qershor japim sinjalin e parë të një Tirane moderne. Por, nuk kemi lënë pas dore asnjë zonë të periferisë, që cilido që rritet në Tiranë të jetë një fëmijë që rritet në një ambient të pastër, të jetë një familje që ka akses në shërbime dhe të jetë një komunitet ku secili përfiton nga investimet e bashkisë dhe jo siç ndodhte më parë, kur investimet ndaheshin në varësi si kishin votuar qytetarët”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve për ruajtjen e investimeve publike si një pasuri e përbashkët. Veliaj i garantoi ata se pavarësisht periudhës zgjedhore apo pushimeve të verës, Bashkia e Tiranës do të vijojë të jetë në krye të punëve publike.

Paralelisht me ndërhyrjet në rrugët kryesore, kryebashkiaku deklaroi se bashkia do të investojë edhe nëpër lagje.

“Kemi arritur shumë, kemi shumë ende për të bërë. Me të mbaruar rrugët kryesore do të futemi në rrugët e çdo lagjeje. Nga ana tjetër, e dimë si shkon kjo histori; kemi shumë për të humbur po u kthyem mbrapsht. Ndaj të ecim përpara me punë”, tha Veliaj.