Kryetari i LSI, Petrit Vasili tha se ajo që ka ndodhur kohët e fundit ka qenë një krizë artificiale. Në një takim me të rinjtë, Vasili u shpreh se ato që u dukën si rrufe ishin fishekzjarre që dogji para të ekonomisë shqiptare.
“Ato që ndodhën javët dhe muajt e fundit ishin rrufetë e ndërsjella që u dukën më së fundi që në vend të rrufeve të vërteta ishin fishekzjarre, por që dogjën shumë para të ekonomisë shqiptare, ishin provë e vetme edhe e bindjes së vetme që njerëzit krijuan para vetes së tyre. E vetmja forcë politike ishte LSI që me sinqeritet u investua për të zgjidhur këtë krizë për të dhënë gjithçka në dispozicion për të kursyer hallet dhe dhimbjet e popullit, këtë e kemi bërë me bindje dhe këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen”, u shpreh Vasili.
Vasili tha gjithashtu se LSI nuk është një parti që ka si qasje të krijojë politika të cilat dëmtojnë shoqërinë, apo krijojnë furtunë në gota që shpikin kriza artificiale.
“Fatet e të rinjve duhet të kenë vetëm përgjigje pozitive, pasi politika që shpikin furtuna në gotë të cilat shpikin kriza artificiale për ti shtuar rëndësinë vetes artificialisht, për tu dukur më të rëndësishëm seç janë, për tu treguar dhe më artificiale seç janë, duke prodhuar kriza që rëndojnë ekonominë dhe që pastaj marrin disa përgjigje që askush nuk i kupton, po që nuk kanë asnjë përgjigje për shqiptarët këto nuk janë as politika jonë dhe as qasja jonë.