Transmetuar më 19-05-2017, 19:15

Nga Edmond Arizaj

Të papërgatiturit e mëdhenj ishin në LSI. Madje edhe Ilir Meta për herë të parë në mbi 20 vjet karrierë politike në majat e larta, nuk ishte në dijeni se ç’po gatuhej. LSI gjendet tashmë në syrin e dy cikloneve, njëri me inatin e nxjerrjes dikur në opozitë, tjetri me mllefin e pashuar se për katër vjet gati e kanë poshtëruar. Tashmë LSI është në dhëmbët e ingranazhit me të cilin luajti tetë vjet. Duket hallakatja e njerëzve, ndaj orientimi i tyre është detyrë primare, nëse nuk duan që ingranazhi ta çojë deri në fund punën e nisur. 

Disi më të çliruar socialistët, por edhe ata të çoroditur. Do të qeverisin me PD, por nuk është 1997. A do jenë në qeverisje gjatë me PD? Atyre nuk u është dhënë ende përgjigje. A do kenë vende pune? Katër vjeçari i parë tregoi se edhe mund të mbeten thatë, por tashmë edhe nëse "mërziten" s’kanë ku e përplasin kokën. Socialistëve u mbetet të gëlltisin çfarë u japin, të harrojnë dhe të luftojnë që votat e tyre të bëjnë mbi 75 mandate. 

Demokratët u çoroditën fort, por nga gëzimi. U erdhi si dhuratë nga qielli ky pak pushtet, sa për të marrë frymë. Bashën e nxori nga sikleti i çadrës që i kishte mbetur në dorë. Më ekstremistët, ata që kërkonin me domosdo rrëzimin e Ramës, e panë që u përdorën, po njësoj si grevistët e urisë në çadrën e dikurshme të PS. Demokratët i kishin prerë të gjitha shpresat, e pushtetin tashmë duhet ta ëndërronin, kur ua dhurojnë, mgjth s’janë Krishtlindjet. Por lindja e kësaj dashurie të re, Rama-Basha, ka dhe pikëpyetjet e saj të mëdha, shumë të mëdha. E para që pret përgjigje para zgjedhjeve është: A janë dorëzuar Berisha dhe Meta? 

Megjithatë, kur Rama fliste për lojën e shahut, patjetër duhet t’i kenë shpjeguar, se mbreti i zi qëndron krah mbretit të bardhë, vetëm brenda kutisë, në fushë janë përballë. Ndryshe s’është shah, por dam.

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al