Transmetuar më 19-05-2017, 16:08

Ministrja e Integrimit Europian, znj. Klajda Gjosha, priti sot në një takim z. Christian Danielsson, Drejtor i Zgjerimit në Komisionin Europian.

Bashkëbiseduesit, diskutuan lidhur me zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke përshëndetur marrëveshjen e arritur pas së cilës i hapet rruga zbatimit të ligjit të vettingut, i cili mbetet kyç për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Ministrja Gjosha, u shpreh se qytetarët shqiptarë meritojnë që procesi i integrimit të bëjë hapa përpara, duke nënvizuar se çdo pengesë e deri tanishme ka qenë pengesë edhe për këtë proces.

“Ne presim që sa më shpejt të kemi rezultatet e para për ligjin e vettingut, në mënyrë që Shqipëria të hapë negociatat. Kjo fazë e procesit është shumë e rëndësishme për vendin, ndaj edhe angazhimi ynë mbetet maksimal për të përmbushur të gjitha detyrimet që Shqipërisë t’i jepet ky shans sa më parë”, tha Ministrja Gjosha. /b.l/noa.al/