Transmetuar më 19-05-2017, 07:29
Publicitet

Për 90 ditë me radhë që nga 18 shkurti, bulevardi “Dëshmorët e kombit” në kryeqytet, u bllokua nga ajo që u quajt “Çadra e lirisë” e opozitës.

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nisi çmontimi i saj. Kjo bëri që ditën e sotme, të nisë qarkullimi normal i automjeteve. Ndërkohë kryetari i Partisë Demokratike falënderoi gjithë protestuesit, të cilët i quajti qëndrestarë.

Madje Lulzim Basha shkoi më tej, duke thënë se ishin ata që garantuan fitoren dhe mundësuan nisjen e rrugës së Republikës së re.

Heqja e çadrës vjen pas marrëveshjes së finalizuar ditën e djeshme mes Kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha.

Në marrëveshjen e arritur pas takimeve maratonë të dy ditëve të fundit mes Ramës dhe Bashës, opozita do të marrë postin e zv.Kryeministrit, ministrit të Brendshëm, ministrit të Arsimit, ministrit të Shëndetësisë, ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ministrit të Financave, ministrit të Drejtësisë, si dhe disa drejtori të rëndësishme.

Bazuar në marrëveshje opozita detyrohet të votojë në Parlament, organet e vettingut. Opozita ka marrë edhe kreun e KQZ, ndërsa edhe Avokati i Popullit, do të jetë propozim i opozitës. /a.y/noa.al 

Loading...