Transmetuar më 18-05-2017, 16:34

Nga Artan Fuga

Sqarim për mediat që manipulojnë…

…në kundërshtim me kuptimin që ka shkrimi im "Republika hipokrite"

sqaroj se :

1. Jam edhe mbetem i mendimit se pranimi i formulës Mcallister+ ishte dhe mbetet një sukses dhe mundësi për zgjedhje të lira dhe të barabarta.

2. Gjithçka tani varet nga saktësia dhe besnikëria e zbatimit të 20 pikave të saj, një më një dhe pikë për pikë. Çështja nuk është mbyllur.

3. Koha për ta zbatuar atë para fundit të qershorit është e pamundur. Duhet pak më shumë kohë përndryshe gjithçka rrezikon të futet në ujë.

4. Opozita nuk synonte Peleshin, por zgjedhje të lira dhe arriti gjithçka mund të arrihej. Të kërkohej heqja e kryeministrit para zgjedhjeve do të ishte jo vetëm e pamundur, por edhe të kërkoje fitoren e zgjedhjeve në tavolinë. Asnjëherë nuk jam shprehur për këtë sepse më dukej një objektiv pa funksion praktik.

5. Rëndësi ka që shqiptarët të votojnë për cilët të duan, çam, grek, i majtë, i djathtë, i qendrës, i paqëndrueshëm, për këdo që nuk ka bërë krime.

6. Duhet të ndryshohet kodi elektoral i turpshëm. Për këtë duhen debatuar dhe folur në mënyrë transparente. Pa këto ndryshime gjithçka është e kotë.

7. Marrëveshja erdhi pas procedurash, dhe praktikash që lejonte republika e vjetër, hipokrite, e degjeneruar dhe dekadente. Por, nuk kishte si duket tjetër rrugë. Që këto horrore për qytetarin të mos përsëriten pa fund dhe Shqipëria të hyjë në rrugën që meritojmë ne qytetarët e nëpërkëmbur dhe skllevër të politikës, ne na duhet REPUBLIKA E RE!

8. Ndryshimet në pushtetin qendror duhen shoqëruar urgjentisht në pushtetin lokal, në nivel prefektash, drejtorësh të arsimit, taksave, legalizimesh, etj. Në nivel lokal ushtrohen presionet.

Këto janë qëndrimet e mia!