Transmetuar më 18-05-2017, 10:05

Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee ka deklaruar se Rusia ka shtuar përpjekjet për të rritur ndikimin në Ballkan.

Në mesin e vendeve më të rrezikuara, zyrtari amerikan ka renditur Shqipërinë dhe Malin e Zi, ku sipas tij, këto dy shtete duan integrim më të thellë me Perëndimin dhe Uashingtoni i mbështet ato.

Por, ai ka shtuar se Moska përpiqet ta parandalojë një gjë të tillë me mjete financiare dhe politike. Yee e cilësoi këtë si “ndikim malinj” të Rusisë.

Ai po ashtu tha se një qendër humanitare e Rusisë në Nish të Serbisë, me siguri synon ndikimin në formimin e opinionit publik. Yee tha se Moska po përpiqet të nxisë edhe Republikën Serbe të ndahet nga Bosnja dhe Hercegovina. Deklaratat e tij u bënë para një nënkomiteti të SHBA-së për marrëdhënie me jashtë. /k.k/noa.al/