Transmetuar më 18-05-2017, 09:08

Më shumë se 3 qind vullnetarë kanë dalë për të adoptuar një kotele të veçantë në New Jersey, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kotelja është shumë e rrallë në llojin e saj, për shkak se gëzofi i saj ngjan me “guallin e një breshke”. Ajo quhet Burrito dhe ndodhet në një shoqatë që strehon kafshët e braktisura në New Jersey.

Kur Dr. Erin Henry,  po ekzaminonte kotelet e  sapo gjetura në rrugë, midis tyre zbuloi edhe kotelen  e veçantë dhe vuri re se Burrito ishte mashkull. Sipas tij kotelja konsiderohet si e më e veçanta në botë, pasi vetëm një në tre mijë kotele meshkuj lindin me lesh portokalli dhe kafe, të cilat në pamje të parë duken si “breshka”.

"Kur e pashë Burriton, u befasova," tha Henry për ABC News. "Kam shqyrtuar mijëra kotele ndërsa punoj në ‘AWA’, organizata që kujdeset për kafshët e braktisura, por Burrito është aq i veçantë, sa nuk besoj se do të shikoj më ndonjë kotele të tillë”, u shpreh ai.

Për shkak të ngjyrës së tij të rrallë Burrito është kërkuar të adoptohet nga shumë njerëz në të gjithë botën. Por, edhe pse ka shumë propozime për të, Burrito nuk do të lejohet të largohet nga qendra e strehimit deri sa të mbushë tetë javë.

Ndërkohë, që çmimi i adoptimit të koteles është 95 dollarë dhe qendra e mbrojtjes së kafshëve, që po kujdeset për Burriton janë duke punuar se kush mund të jetë i duhuri që do të adoptojë kotelen më të veçantë në botë. /g.v/noa.al/