Transmetuar më 17-05-2017, 15:37

Dalin detaje të reja nga trupi i pajetë i gjendur një ditë më parë në zonën e Dajtit, në Tiranë. Kufoma e gjetur në një zonë të pyllëzuar, në Zall Bastar, në Kodër Shupal rezulton e djegur plotësisht dhe i mungon edhe një pjesë e gjymtyrëve.

Policia bën me dije se pasditen e djeshme, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një telefonatë nga një bari, se në fshatin Kodër Shupal, ka gjetur një kufomë të dekompozuar.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor ku ka konstatuar një skelet të dekompozuar. Për shkak të dëmtimit të kufomës është i vështirë identifikimi i viktimës.

Paraprakisht dyshohet se mund të bëhet fjalë për vrasje, ndërsa kufoma është djegur për të zhdukur gjurmët. 

Banorët e zonës deklarojnë se ngjarja mund të ketë ndodhur ditët e fundit. Ata kujtojnë se rreth dy javë më parë kanë konstatuar në kodër, gjatë natës një zjarr të vogël, të cilët nuk i kanë kushtuar rëndësi.

Sipas të dhënave paraprake kufoma është gjetur i lidhur nga këmbë e duar dhe i kanë mbetur si shenja dalluese vetëm një rrip dhe një pjesë e njërës prej këmbëve e pa djegur.

Pritet ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme. /b.l/noa.al/