Transmetuar më 16-05-2017, 11:53

Megjithëse, shumë njerëz mendojnë se cigaret elektronike nuk janë të dëmshme si cigaret tradicionale, një studim i fundit deklaron të kundërtën. Një grup mjekësh, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë zbuluar se cigaret elektronike janë të dëmshme për shëndetin ashtu si edhe cigaret e tjera tradicionale. Sipas, hulumtuesve këto cigare ndikojnë në rritjen e rrezikut për t’u prekur nga kanceri i fshikëzës së urinës.

“Ne e dimë tashmë që pirja e duhanit tradicional rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës. Mirëpo, kohët e fundit duke pasur parasysh rritjen e popullaritetit të cigareve elektronike, e pamë si të nevojshme marrjen në konsideratë të tyre. Kështu realizuam një eksperiment dhe dolëm në përfundimin se njëlloj si cigaret e tjera edhe këto elektroniket shkaktojnë kancerin e fshikëzës së urinës”, tha në një konferencë për shtyp, Dr. Sam Chang të Shoqatës Urologjike Amerikane.

Për të realizuar studimin, hulumtuesit analizuan urinën e njerëzve që përdorin cigare elektronike. Ata kërkuan për pesë kimikate të njohura, të cilat janë shkaktarët kryesorë të kancerit të fshikëzës, të cilat mund të gjenden në lëngun e cigareve elektronike.

Përfundimet e studimit, ishin se nëntëdhjetë e dy për qind e përdoruesve të cigareve të testuara kishin dy nga pesë kimikatet e përmendura më sipër. Më tej studiuesit pohuan se në një studim të dytë ata, shqyrtuan efektin e nikotinës dhe përbërjes së saj.

Sipas tyre, cigaret elektronike, shkaktuan dëmtime të kancerit në indet e fshikëzës. Gjetjet gjithashtu treguan se nikotina, nitrosamina dhe formaldehidi, janë përbërësit kimikatë, që dëmtojnë fshikëzën dhe bllokojnë riparimin e ADN-së, duke rritur rrezikun e kancerit.

Megjithatë, mjekët vunë në dukje, se edhe një reduktim i vogël i pirjes së duhanit mund të përmirësojë mbijetesën në pacientët e diagnostikuar me kancer të fshikëzës. /g.v/noa.al