Transmetuar më 14-05-2017, 12:17

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli mori sot titullin e lartë “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit. Dekretin e shpalljes së ‘Qytetare Nderi’ e Komunës dhe motivacionin e ka lexuar, kryetari i Kuvendit Komunal, Naim Bazaj.

Në titull është shkruar: “Zonja e nderuar, Mimi Kodheli shpallet Qytetare Nderi e Komunës për kontributin e çmuar dhe përkrahjen e pakursyer për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjes së vazhdueshme për fuqizimin e shtetësisë së Kosovës dhe vënien e interesave të Kosovës në agjendat integruese euro-atlantike. Për personalitetin e fuqishëm motivues dhe inspirues të lartësimit të gruas shqiptare në Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe të fuqizimit të saj duke qenë në vendimmarrje. Dëshmoi me angazhimin e saj të pashoq se gruaja shqiptare denjësisht ka promovuar dhe lartësuar vlerat kombëtare”.

Gjatë fjalës së saj ministrja Kodheli uroi dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për nderimin e veçantë që i bënë dhe për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore.

“Ndihem shumë e privilegjuar, e emocionuar dhe e nderuar që vij këtu, në komunën heroike të Drenasit, në zemrën e rezistencës së Shqipërisë, që të bëhem dhe unë qytetare e kësaj toke të shtrenjtë trimash. Dua t’ju falënderoj një nga një, por edhe të gjithë ju të nderuar anëtarë të Kuvendit Komunal që vendosët të më nderoni me titullin “Qytetar Nderi”, u shpreh ministrja.

Kodheli nënvizoi se toka e Drenasit është dëshmitare e shumë betejave për liri dhe pavarësi.

Kodheli më tej tha se “Unë jam krenare që tashmë jam pjesë e kësaj toke njerëzish trima dhe të lirë dhe me këtë rast shpresoj se përmbush dhe një ëndërr të vjetër, të babait tim të ndjerë, që punoi fort, për pavarësinë e kësaj toke rreth 40 vite më parë”.

Teksa u ndal tek zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, Kodheli nënvizoi se në Tiranë, ka një grup njerëzish që po përpiqen të krijojnë konflikt me Perëndimin, të trembur nga reformat, kryesisht asaj në drejtësi.

“Ky grup i dhunshëm politikanësh, që padyshim e urrejnë demokracinë, ashtu si dhe zbatimin e ligjit, të drejtën e qytetarëve për të votuar, barazinë përpara drejtësisë, do të marrin një përgjigje nga populli shqiptar, nga qytetarët e Shqipërisë pak javë më vonë, që është ajo e Shqipërisë së lirë, e demokracisë së re. Por, absolutisht e demokracisë së duhur”, tha ajo.

Pas përfundimit të seancës solemne, Kodheli bëri homazhe pranë varrit të dëshmorëve Fehmi e Xhevë Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit.