Transmetuar më 12-05-2017, 22:31

Lidhur me protestën e opozitës që do të mbahet ditën e shtunë më 13 maj ka reaguar edhe ambasada e Francës dhe ajo e Holandës në vendin tonë.

Ambasada e Francës u bën thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë në zhvendosjet e tyre brenda kryeqytetit gjatë ditës së shtunë, me arsyen e një rreziku real për ngjarje të dhunshme. Më e detajuar në ftesën për qytetarët e saj është treguar Ambasada e Holandës.

“Partia më e madhe opozitare në vend ka bërë thirrje për një protestë masive kundër qeverisë në kryeqytetin Tiranë, më 13 maj. Monitoroni mediet lokale dhe ndërkombëtare dhe kujdesuni e merrni të gjitha masat për të shmangur protestat dhe demonstratat politike.

Nëqoftëse e keni të mundur, shmangni kalimin në sheshin qendror të Tiranës, sheshin ‘Skënderbej’, bulevardin, sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe zonën e ish-bllokut. Një paradë e komunitetit LGBT pritet gjithashtu të organizohet të shtunën në qendër të Tiranës. Stafi i Ambasadës së Holandës në Shqipëri ka këshilluar që të shmangen edhe këto ngjarje, sepse në të njëjtën datë do të mbahet edhe protesta e opozitës”.

Po njësoj, kujdes dhe shmangie të lëvizjeve rreth qendrës së Tiranës ka kërkuar më herët edhe edhe Ambasada e Italisë. “Të shtunën do të mbahet një manifestim i opozitës, që do të nisë rreth orës 12 në zonën e bulevardit, në veçanti mes selisë së Partisë Demokratike dhe selisë së Presidencës.

Rekomandohet që të shmangni zonën ku do të mbahet manifestimi dhe të tjera ngjarje përqark bulevardit. Rekomandohet gjithashtu që të evitohet kalimi pranë tendës së ngritur që prej muajit shkurt nga PD, ku do të mbahen fjalimet në fund të manifestimit”, thotë Ambasada e Italisë. /b.l/noa.al/.