Transmetuar më 11-05-2017, 16:00

Ilir Meta, sipas deklarimit të pasurisë, rezulton që gjatë vitit 2016 të ketë pasur të ardhura vetëm nga paga vjetore në shumën 1 955 743 lekë ose 162.979 lekë në muaj (rreth 1200 euro).

Kurse bashkëshortja, rezulton me të ardhura nga paga dhe të tjera nga funksioni si deputete, 1 993 076 lekë.

Nga Spending Data Albania janë përditësuar të dhëna të vetëdeklarimit të pasurisë për disa funksionarë të rëndësishëm publikë për vitin 2016 dhe më poshtë gjenden të detajuara, deklarimet e çiftit Ilir Meta e Monika Kryemadhi.

Gjendje Bankare e z. Meta rezulton të jetë pakësuar me 1 113 620 lekë.

Më 2016, Meta çeli llogari studentore për një nga fëmijët e tij duke i vendosur 43 727 lekë. Po ashtu ai çeli llogari dyemërore me person tjetër të familjes me vlerë 1 001 029 lekë.

Bashkëshortët kanë likuiduar një kredi të mëparshme për blerje apartamenti me vlerë kredie 155 000 euro. Likuidimi është bërë përmes një kontrate shitje apartamenti datë 25. 02. 2016, ku blerësit i është transferuar me zëvendësim detyrimi kreditor. Apartamenti 200 m2 është shitur në shumën 345 000 Euro, ku deklarohet se në vitin 2016 është arkëtuar shuma 100 000 euro. Do të arkëtohet gjatë vitit në vijim 245 000 euro.

Bashkëshortja zonja Kryemadhi ka shitur një apartament banimi me sipërfaqe 104.74 m2, në vlerën 60 958 euro, nga të cilat janë arkëtuar 55 503 euro dhe kanë mbetur për t’u arkëtuar nga të tretë 5 455 Euro.

Monika Kryemadhi ka shitur edhe një apartament banimi me sipërfaqe 166.2 m2, me vlerë shitje, të arkëtuar plotësisht 85 088 euro.

Po ashtu ka shitur apartament banimi me sipërfaqe 108.5 m2, vlera e shitjes, e arkëtuar 57 885 euro.

Gjatë 2016, Monika Kryemadhi ka shtuar llogarinë bankare me 174 403 euro.

Sakaq ajo shiti një apartament banimi me sipërfaqe 200 m2, 345 000 euro, nga të cilat 100 000 euro janë arkëtuar, 245 000 euro janë pa arkëtuar dhe marrëveshje për zëvendësim debitori për 155 000 euro kredi bankare që do shlyhet nga blerësi apartament.

SHPENZIMET E DEKLARUESHME 2016

1) Detyrime të paguara në vlerën -155 000 euro për kredi bankare për blerje apartamenti, me marrëveshje për zëvendësim debitori dhe të ardhura nga shitja apartament, pjesë e regjimit martesor.

2) Bashkëshortja, detyrime të paguara në vlerën -1 327 056 lekë për overdraft bankar marrë në vitin 2015.