Transmetuar më 09-05-2017, 18:48

Lionel Messi ka 30 milionë arsye për të buzëqeshur çdo vit dhe kaq mjafton që çdo tifoz katalanas gjithashtu të lumturohet.

Po, besojmë se e kuptuat: Barcelona është shumë pranë arritjes së marrëveshjes së re me yllin argjentinas, i cili së shpejti pritet të firmosë një kontratë që e lidh deri në vitin 2022 me kampionët e Spanjës, shkruan telesport. Paga e 29-vjeçarit do të jetë jashtëzakonisht e lartë, pikërisht 30 milionë euro në sezon (neto), shifër që praktikisht do ta bënte futbollistin më të paguar në botë.

Lajmi ende nuk është i konfirmuar, por besohet se kjo është oferta që presidenti Josep Maria Bartomeu i ka bërë babait dhe njëkohësisht agjentit të “Pleshtit”, Jorge Messi, në takimin e tyre të fundit që kanë pasur më 21 prill.

Sipas programit “El Club de la Mitjanit”, për kontratën e re duhen zgjidhur vetëm disa detaje të vogla, para se dy palët të ulen edhe një herë në tavolinë dhe të thonë “po” për zgjatjen e martesës. Me këtë kontratë, Messi llogaritet se në “Camp Nou” do të luajë deri kur të bëhet 35 vjeç.