Transmetuar më 05-05-2017, 10:58

Nëse deri më tani keni menduar se frutat dhe perimet e ngrira nuk janë të shëndetshme. Ka ardhur momenti që të hiqni dyshimet lidhur me këtë çështje. Këtë gjë e vërteton një studim i bërë nga hulumtuesi, Ali Bouzari, dhe kolegët e tij në Universitetin e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Studiuesit krahasuan frutat dhe perimet e freskëta me ato të ngrira. Ata morën tetë fruta dhe perime për t’i krahasuar, misëi, brokoli, spinaq, karrota, bizele, bishtaja, luleshtrydhe dhe boronica.

Në fund të eksperimentit të tyre ata dolën në përfundimin se nga ky krahasim nuk gjetën dallime të qëndrueshme midis atyre të freskëta dhe të ngrira.

Përkundrazi, studiuesit deklaruan se frutat dhe perimet që qëndrojnë në akull kanë vlera ushqyese pasi akulli nuk i lejon ato të përshkohen nga mikrobe të ndryshme.

Dhe nëse shqetësoheni për frutat dhe perimet të ngrira, për të cilat mendoni se humbasin lëndët ushqyese, atëherë duhet të kujtoni se edhe ato të freskëta i humbasin këto vlera. Bizelet humbasin pak më shumë se gjysmën e vitaminës C, 24 orë pas vjeljes së tyre.

Po ashtu, vitamina C është më e lartë te misëri i ngrirë, bishtaja dhe boronica sesa në ekuivalentët e tyre të freskët

Më tej hulumtuesit zbuluan se fibrat dhe mineralet e tjera si magnez, kalcium, zink dhe hekur nuk kishin asnjë dallim të madh në mes formave të ngrira dhe të freskëta të tetë frutave dhe perimeve që u morën për t’u studiuar.

Studiuesit që mbështesin procesin e ngrirjes së frutave dhe perimeve, argumentojnë se gjithashtu, ngrirja ndalon kalbjen, shkruan noa.al.

Ndërkohë që çështje të tilla si preferenca për shije të freskët është më shumë subjektive. Dhe, sigurisht sipas studimit, bizelet e ngrira janë shumë më të mira sesa ato të freskëta për t’u konsumuar.

Procesi i ngrirjes së frutave dhe perimeve me qëllim konsumimin e tyre edhe jashtë stinës daton që në vitin 1920, kur Clarence Birdseye, nga New York, i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, krijoi teknologjinë “e ngrirjes”. Ai e kopjoi këtë metodë nga banorët e Alaskës, të cilët e përdornin për të ruajtur peshkun e tyre të ngrirë. /g.v/noa.al